maj122020
"Shefqet Ndroqi" drejt mbylljes si spital-Covid. Rifillojnë ndërhyrjet kirurgjikale në QSUT
Epidemia e Covid-19 në Shqipëri paralizoi pjesën tjetër të sistemit shëndetësor. U pezulluan ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara, konsultat mjekësore te mjeku specialist si dhe për ta vënë spitalin "Shefqet Ndroqi" në funksion të pacientëve me Covid-19, u transferuan pacientët me probleme pulmonare në spitalin e Elbasanit. Kjo shkaktoi një çorientim të pacientëve, por edhe rëndim të gjendjes së tyre shëndetësore.
Me pakësimin e rasteve të prekura nga Covid-19 në vendin tonë, si dhe me numrin e pakët të atyre që trajtohen në dy spitalet Covid, kanë qenë mjekët që ofrojnë kujdes shëndetësor në shërbime të tjera, ata që kanë kërkuar zhbllokimin e pjesës tjetër të sistemit shëndetësor.
Kështu, të hënën që vjen, pra, më 18 maj, do të nisin të kryhen ndërhyrjet kirurgjikale në sallat e kirurgjisë në QSUT dhe në spitalet rajonale. Po kështu, komiteti teknik i ngritur për situatën e Covid-19 në Shqipëri, pritet që brenda kësaj jave të marrë vendimin për kthimin në spitalin "Shefqet Ndroqi" të pacientëve që kanë probleme pulmonare dhe jo vetëm, si dhe që ky spital të mos shërbejë më si spital Covid. Gjatë epidemisë së Covid-19, në spitalin Covid-2 janë trajtuar vetëm rastet me insuficiencë të rëndë respiratore.
Alma Demiraj