dhj292020
Dezinfektuesit e duarve. Është neglizhuar rreziku i lidhur me gëlltitjen. Rastet klinike
Gëlltitja e dezinfektuesve të duarve me bazë alkooli, qoftë vullnetare ose e paqëllimshme, mund të vrasë, por publiku është gjerësisht i pavetëdijshëm për rreziqet e mundshme që paraqet kjo formë e higjienës së duarve dhe vështirë të verifikohet nëse janë krijuar strategji të masave parandaluese për këtë situatë rreziku.
Ky është përfundimi i analizës së dy vdekjeve për shkak të gëlltitjes së dezinfektuesit, botuar në "BMJ Evidence Based Medicine". "Dezinfektuesit e duarve me bazë alkooli janë në dispozicion në formë të lëngshme, si xhel ose shkumë. Ata përmbajnë 60-95% alkool etilik (etanol) ose 70-95% alkool izopropil (izopropanol). Vetëm në Britaninë e Madhe, helmimet nga dezinfektuesit e duarve me bazë alkooli u rritën me 61% në periudhën janar-shtator 2019 dhe 2020", thotë Georgia Richards, nga Universiteti i Oksfordit, autore e shkrimit.
Në të parin nga dy rastet e raportuara, një grua e re, e shtruar në një njësi psikiatrike dhe e trajtuar me antidepresivin venlafaksinë, u gjet e vdekur në shtratin e saj të spitalit me një enë me xhel dezinfektues pranë saj. Vdekja e saj i atribuohej gëlltitjes së alkoolit dhe venlafaksinës, që, të kombinuara, kishin shkaktuar një arrest respirator. Xheli ishte lehtësisht i arritshëm nga pacientët në repart. Eksperti thekson se, edhe nëse struktura në fjalë pretendon të ketë marrë masa për të parandaluar përsëritjen e një situate të tillë, nuk ka mekanizma për të verifikuar ose monitoruar zbatimin e këtyre masave.
Rasti i dytë përfshiu një 76-vjeçar i cili padashur gëlltiti një sasi të panjohur shkume dezinfektuese për duart, me bazë alkooli, që ishte vendosur pranë shtratit të tij në spital dhe vdiq gjashtë ditë më vonë nga pneumonia dhe helmimi akut nga alkooli. Ai kishte një histori axhitimi e depresioni dhe ishte trajtuar me barna kundër depresionit. Pas kësaj, institucioni ndërhyri duke u siguruar që stafi e mbante dezinfektuesin me vete dhe nuk e linte pranë pacientëve.
"Nëse në kohën e raportimit të rastit të parë, do të ishin ndërmarrë veprimet e duhura në nivel kombëtar, do të kishte qenë e mundur të parandalohej vdekja e dytë që përshkruam dhe qindra helmime të lidhura me dezinfektuesin e duarve, të raportuara tek autoritetet në vitet 2019 dhe 2020", përfundon studiuesja.
BMJ Evidence Based Medicine 2020. Doi: 10.1136/bmjebm-2020-111568
http://dx.doi.org/10.1136/bmjebm-2020-111568