gus272021
ADHD. Studiohet efikasiteti i metodës së re jo farmakologjike të trajtimit
Trajtimet farmakologjike për ADHD-në mund të shoqërohen me efekte anësore të rëndësishme, të tilla si nervozizmi dhe çrregullimet e gjumit, por edhe një rrezik në rritje për zhvillimin e çrregullimeve të tjera psikiatrike ose sëmundjeve kardiovaskulare. "Për këto arsye ne kemi vlerësuar një trajtim krejtësisht jo farmakologjik dhe jo invaziv, bazuar në parimin e neurofeedback-ut", shpjegon Marie-Pierre Deiber (Universiteti i Gjenevës), autore kryesore e studimit të botuar në Neurophysiology Clinical.
Një metodë e re, teknika neurofeedback, mund t'u japë mundësi pacientëve me çrregullime të deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitet (ADHD) të trajnojnë përqendrimin e tyre, në bazë të një reagimi të menjëhershëm të nivelit të aktivitetit cerebral. Kjo është një lloj ndërhyrjeje neurokonjitive bazuar në trajnimin e sinjaleve të trurit në kohë reale. Duke përdorur një elektroencefalogramë (EEG) me 64 sensorë, studiuesit e përqendruan analizën e tyre në ritmin Alfa spontan (frekuenca rreth 10 Hertz), duke e lidhur luhatjen e tij në amplitudë me një lojë video që pacientët mund ta kontrollonin me fuqinë e vëmendjes së tyre. EEG-ja e pacientit ishte në fakt e lidhur me një kompjuter që shfaqte imazhin e një anijeje kozmike. Kur pacienti ishte në gjendje cerebrale vigjilente (ritëm Alfa i ulët), anija hapësinore përparonte, ndërsa kur pacienti e humbte vëmendjen (ritëm Alfa i lartë), lëvizja e anijes hapësinore ndërpritej dhe pacienti, duke parë skenën, kuptonte se duhet t'i kushtonte vëmendje. Për të matur efektet e trajnimit për neurofeedback, ekspertët administruan një test vëmendjeje për 25 të rritur me ADHD dhe 22 të rritur neurotipikë.
Rezultatet treguan se, në fillim, pacientët me ADHD bënë më shumë gabime dhe kishin një kohë reagimi më të ndryshueshme sesa pjesëmarrësit në grupin e kontrollit. Pas 30 minutash me neurofeedback, pjesëmarrësit përsëritën testin e vëmendjes dhe u vu re një vëmendje e përmirësuar te pacientët me ADHD. Për më tepër, ka qenë i rëndësishëm edhe ndikimi i trajnimit në përbërësin ERP (i njohur si P3 (i reduktuar në ADHD) dhe i lidhur drejtpërdrejt me përpunimin neurokonjitiv të stimulit), pasi P3 u rrit ndjeshëm dhe u shoqërua drejtpërdrejt me një reduktim të numrit të gabimeve të bëra nga pacientët.
Clinical Neurophysiology 2021. Doi: 10.1016/j.clinph.2021.05.017
http://doi.org/10.1016/j.clinph.2021.05.017