Shëndetësi

gus292024

Tumoret. Rritje e incidencës te të rinjtë. Ja, studimi

Në një studim të publikuar në The Lancet Public Health, është evidentuar një rritje alarmante e incidencës së disa llojeve të kancerit te gjeneratat e reja në SHBA. Kjo tendencë është raportuar edhe më parë nga studime të tjera dhe konfirmohet në këtë të fundit.

Studimi bazohet në analizimin e kampioneve të 23.65 milionë amerikanëve që kanë lindur që prej vitit 1920 dhe  që kanë zhvilluar të paktën një nga 34 llojet e ndryshme të tumoreve të marra si referim, gjatë një periudhe prej njëzet vjetësh (saktësisht në vitet 2000-2019). Gjithashtu, u analizuan afro 7.35 milionë raste vdekjesh për shkak të një nga 25 tipologjitë e tumorit, të monitoruara gjatë së njëjtës periudhë. Normat specifike të incidencës dhe vdekshmërisë për grup lindjeje u përllogaritën duke marrë në konsideratë efektet e moshës dhe të periudhës, duke i ndarë në intervale prej pesë vitesh nga viti 1920 në vitin 1990.

Tipologjitë e tumoreve
Në studim u zbulua se rreziku për zhvillim të disa llojeve të tumoreve rritej me çdo grup të ri lindjeje. Në veçanti, incidenca e tumoreve vijuese rezultoi 2-3 herë më e lartë te të lindurit në vitet '90, sesa tek ata të viteve 1955: tumori i zorrës së hollë (RLI 3.56), i veshkave dhe i pelvisit renal (RLI 2.92), i pankreasit (RLI 2.61), i mëlçisë dhe i rrugëve biliare intrahepatike te gratë (RLI 2.05).

Gjithashtu,  incidenca e nëntë llojeve të tjera të kancerit, ndër të cilët ata të gjirit me receptorë pozitivë për estrogjenet,  ai uterin dhe ai kolonorektal, rezultoi më e lartë në grupet e individëve më të rinj, pas një rënieje fillestare në grupet e më të moshuarve.

Në studim u evidentua se incidenca e kancerit në grupin e lindjes në vitin 1990, varion nga 12% më shumë për kancerin ovarian, në 169% më shumë për kancerin uterin, krahasuar me grupin me normë më të ulët incidence. Kjo mund të tregojë që ekspozimi ndaj faktorëve kancerogjenë gjatë fëmijërisë dhe në vitet e para të moshës madhore, shtohet ndjeshëm në gjeneratat më të reja. Megjithatë, për pjesën më të madhe të llojeve të tumorit, normat e vdekshmërisë janë stabilizuar ose reduktuar në grupet më të reja, duke sugjeruar se përmirësimet në trajtime dhe diagnostikimet e hershme po kontribuojnë në reduktimin e vdekshmërisë, pavarësisht shtimit të incidencës. Shkaqe të tjera mund të konstatohen edhe në faktorët themelorë të rrezikut të shkaktuar nga mënyrat e gabuara të jetesës, duke përfshirë obezitetin, i cili lidhet me shumë prej kancereve të shtuara. Nga studimi u zbulua se dhjetë nga 17 tumoret, incidenca e të cilëve është në rritje te grupet më të reja, janë tumore të lidhura me obezitetin (për shembull tumori kolonorektal, i veshkave dhe pelvisit, kolecistitet, kanceri i gjirit pozitiv për receptorët e estrogjeneneve, etj.)

Pa ndërhyrje efikase parandalimi, ekziston rreziku që ngarkesa komplesive e patologjive tumorale të shtohet në të ardhmen, duke anuluar apo përmbysur përparimet e derimëtanishme  në luftën kundër kësaj sëmundjeje.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC