maj302014
Dieta korrekte në menopauzë
Menopauza shoqërohet me modifikime fizike dhe psikologjike që përfshijnë plotësisht femrën, të shkaktuara nga rënia e estrogjenit. Një dietë korrekte mund të ndihmojë në pengimin e osteoporozës, fenomen tipik i kësaj periudhe dhe pasojave të saj.Stili i rregullt i jetesës dhe kontrolli dietik në menopauzë mund të konsiderohen për të gjitha gratë një metodë që ndihmon në mirëmbajtjen e fizikut dhe lufton disa nga pasojat me kohëzgjatje si osteoporozën dhe patologjitë kardiovaskulare, që janë dhe shkaku kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek gratë në postmenopauzë. Masat kryesore parandaluese kanë të bëjnë me kontrollin dietik, konsumimin e moderuar të alkoolit, kontrollin e peshës dhe nivelit të lipideve në gjak, mbajtjen në kontroll të presionit të gjakut, kryerjen e ushtrimeve të përshtatshme fizike dhe shmangien e duhanit. Në menopauzë ulet në mënyrë të ndjeshme nevoja për energji dhe ushqyerje, aq sa mund të jetë i nevojshëm reduktimi i konsumit të disa ushqimeve (në veçanti i atyre më të pasur me yndyrna dhe kalori). Sipas IMS (International Menopause Society), një dietë e shëndetshme parashikon porcione të ndryshme ditore frutash dhe zarzavatesh, drithëra integralë, peshk 2 herë në javë dhe në përgjithësi një sasi të ulët lipidesh, që ndihmon dhe në uljen e rrezikut të frakturave multiple. Konsumi ditor i kripës duhet të kontrollohet dhe reduktohet, ai i alkoolit të mos kalojë 20 g/ditë. Osteoporoza tipike në postmenopauzë takohet ne 5-29% të grave dhe shfaqet gjatë 20 viteve të para nga fillimi i menopauzës. Në periudhën e perimenopauzës humbja kockore është e përshpejtuar, ajo mund të arrijë gjatë një viti deri në 5% të masës totale; është një fenomen që karakterizon një pjesë të mirë të jetës por është në rritje dhe i favorizuar në menopauzë, në fakt mungesa e estrogjenit shkakton një ulje të përthithjes renale dhe intestinale të Ca dhe rrit aktivitetin e osteoklasteve, qelizat përgjegjëse në shkatërrimin dhe përthithjen e kockës. Arritja e kulmit të masës kockore në moshë të re ngelet mënyra më e mirë parandaluese, megjithatë kujdesi ndaj fenomeneve të ndikuara nga mungesa hormonale gjatë kësaj periudhë, ndihmon në reduktimin e rrezikut të frakturave. Në gratë në menopauzë që nuk janë në terapi estrogjenike, rekomandohet marrja e 1200 mg Ca, vlera të arritshme dhe nga dieta të përshtatshme ushqimore (integrimi i tepërt i Ca bashkë me një dietë të pasur Ca mund të çojnë në rritje të rrezikut kardiovaskular). Rol luan dhe vitamina D, për të cilën burimi kryesor mbetet ekspozimi në diell i sipërfaqes trupore të zbuluar, si duar dhe fytyrë, të paktën 10 minuta në ditë. Ne rastin e pamundësisë, konsiderohet e përshtatshme përfshirja e vitaminës D ne dietë në sasi që varion nga 400 deri 800 IU në ditë.