kor82014
CHMP kufizon përdorimin e kombinuar të barnave që veprojnë në RAS
Komiteti i Agjensisë Europiane për Produktet Mjeksore për Përdorim Human (CHMP) ka përcaktuar kufizime në kombinimin e barnave që veprojnë në sistemin renin-angiotensin (RAS), një hormon që kontrollon presionin e gjakut dhe vëllimin e lëngjeve në trup. Barnat e përfshira i përkasin tre klasave kryesore: bllokues të receptorëve angiotensin (ARB, të njohur edhe si sartan), frenues të enzimës së konvertimit të angiotensinës (frenues ACE) dhe frenuesit e drejtpërdrejtë të reninës si aliskireni. Kombinimi i dy barnave që i përkasin ndonjë prej këtyre klasave nuk rekomandohet dhe në veçanti tek pacientët me probleme renale të shkaktuara nga diabeti (nefropati diabetike), pra nuk duhet të jepet një ARB me një ACE-frenues. Mendimi i CHMP konfirmon rekomandimet e bëra nga Komiteti i Vlerësimit të Rrezikut për Farmakovigjilencën i Agjensisë (PRAC) që vjen nga rivlerësimi i disa studimeve tek pacientët me shqetësime kardiake persistente dhe të qarkullimit të gjakut apo me diabet të tip 2, që treguan se kombinimi i një ARB me një ACE-frenues shkakton rritje të rrezikut të hiperkalemisë, dëmtime renale ose ulje tensioni, në krahasim me përdorimin e veçuar të barnave. Në një numër të vogël pacientësh (kryesisht me insufiçencë kardiake) mund të jetë ende e nevojshme të kombinohen këto dy klasa barnash. Kur kjo konsiderohet absolutisht e nevojshme do të kryhet vetëm nën mbikqyrjen e një specialisti me monitorim të funksionit renal, lëngjeve, të ekuilibrit të kriprave dhe të presionit të gjakut. Pacientët që aktualisht marrin një kombinim të këtyre barnave duhet të rishqyrtojnë terapinë sa më parë me mjekun e tyre. Ju kujtojmë se ARB (azilsartan, kandesartan, eprosartan, irbesartan, losartan, olmesartan, telmisartan ose valsartan) janë antagonistë të receptorëve të hormonit angiotensina II: duke bllokuar veprimin, dilatojnë enët e gjakut dhe reduktojnë sasinë e ujit të ripërthithur nga veshkat, duke ulur kështu presionin e gjakut në trup; ndërsa ACE-frenuesit (benazepril, kaptopril, cilazapril, delapril, enalapril, fosinopril , imidapril, lisinopril, moeksipril, perindopril, kinapril, ramipril, spirapril, trandolapril ose zofenopril) dhe frenuesit e drejtpërdrejtë të reninës (aliskiren) bllokojnë veprimin e enzimave të veçanta të përfshira në prodhimin e angiotensinës II. Analiza e efekteve të agjentëve RAS është iniciuar me kërkesë të AIFA, mendimi i CHMP tani do të përcillet në Komisionin Europian, i cili do të nxjerr një vendim përfundimtar të vlefshëm në të gjithë Bashkimin Europian.