shk122015
Antibiotikët nuk janë të nevojshëm pas kolecistektomisë kalkuloze
Te pacientët që i nënshtrohen heqjes së fshikëzës së tëmthit për kolecistit akut kalkuloz, mungesa e terapisë me antibiotikë nuk rrit incidencën e infeksioneve postoperatore, sipas një studimi të publikuar në revistën "JAMA".
"Në Shtetet e Bashkuara kryhen rreth 750.000 kolecistektomi çdo vit, dhe rreth një e katërta për kolecistit akut kalkuloz", shprehet kirurgu Jean Marc Regimbeau në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Amiens në Francë dhe bashkautor i këtij artikulli, duke shpjeguar se shumë pacientë marrin antibiotikë post-operatorë me qëllim reduktimin e infeksionit të mëvonshëm, por informacionet mbi përfitimet e mundshme e trajtimit janë të kufizuara. Regimbeau dhe kolegët caktuan në mënyrë të rastësishme 414 pacientë me kolecistit akut kalkuloz të rëndë ose të moderuar që të trajtoheshin me antibiotikë (Amoxicillinë dhe Acid klavulanik) para dhe pas kolecistektomisë. Studimi është kryer në 17 qendra mjekësore në periudhën maj 2010 deri gusht 2012, dhe studiuesit gjetën se normat e infektimit postoperator ishin 17% në grupin e patrajtuar dhe 15% në grupin e trajtuar me antibiotikë pas operacionit. Ndërsa mungesa e antibiotikut nuk rriste shkallën e infeksioneve postoperative në krahasim me mono-terapinë preoperatore antibakteriale. "Udhëzuesit e Shoqatës Amerikane të Sëmundjeve Infektive dhe Shoqatës Botërore të Kirurgjisë Emergjente rekomandojnë trajtim me Amoxicillin dhe Acid klavulonik ose sulbaktam pas kolecistektomisë për kolecistit akut kalkuloz të pa komplikuar, por nga studimi ynë nuk dalin prova për të mirat e trajtimit", përfundon studiuesi, duke theksuar se reduktimi i përdorimit të antibiotikëve të panevojshme është i rëndësishëm duke pasur parasysh rritjen e rezistencës bakteriale dhe incidencën e lartë të komplikimeve të tilla si infeksioni nga Clostridium Difficile.
"Pavarësisht mungesës së një protokolli double-blind, i pamundur të kryhet në shumë studime kirurgjikale, studimi tregon se antibiotikët postoperativë nuk janë të nevojshëm, duke i dhënë përgjigje pyetjeve të rëndësishme në lidhje me menaxhimin e pacientëve që i nënshtrohen kolecistektomisë", komenton Joseph Solomkin i University of Cincinnati College of Medicine në një editorial shoqërues.