60% e prindërve që përdorin barnat vetë-mjekuese për fëmijët e tyre, i ngatërrojnë ato me suplementet, vetëm 31% e konsiderojnë fletën ilustruese si një burim informacioni. Nëse kanë nevojë për qartësime i drejtohen pediatrit (77%), internetit (15%) dhe farmacistit (11%). Ky është kuadri i nxjerrë nga një studim i kryer nga qendra studimore e Federatës së Pediatrisë Italiane (FIMP) dhe i prezantuar në Milano nga shoqata kombëtare e barnave për vetë-mjekim, Assosalute.
Sipas të dhënave, konfirmohet një përdorim i gjerë i barnave auto-mjekuese nga prindërit por gjithashtu edhe disa probleme që lidhen me mungesën e informacionit. "Prindërit nuk i njohin llojet e ndryshme të barnave", thotë studimi "mbi 5% i përdor në mënyrë të papërshtatshme barnat që tashmë i kanë në shtëpi dhe kanë vështirësi në administrimin korrekt të tyre, si në aspektin e dozimit edhe të kohës së terapisë". Pediatri është pika e referimit për marrjen e informacioneve. Ndërsa 15% e prindërve i drejtohet internetit, edhe pse vetëm 8% i konsideron informacionet në internet të besueshme.
"Duhet edhe shumë punë për përmirësimin e njohurive për përballimin e sëmundje të lehta me përdorimin e barnave auto-mjekuese", pohon Adima Lamborghini nga FIMP. "Burimet që prindërit i konsiderojnë si më të besueshme (pediatërit, mjekët e familjes dhe farmacistët) kanë një rol kyç në këtë proces, por duhet një sensibilizim edhe duke u nisur nga mjetet e komunikimit masiv". Rregullat që i transmetohen prindërve sipas Assosalute janë të pakta dhe të thjeshta: besojini vetëm atij që e përshkruan barin (pediatrit) ose e shet (farmacistit). Barnat me detyrim përshkrimi nuk duhet t'i jepen fëmijës pa u konsultuar më parë me pediatrin, edhe në qoftë se fëmija ka marrë të njëjtin bar në të kaluarën.