Komiteti për Vlerësimin e Risqeve dhe Farmakovigjilencën (PRAC) i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) ka përfunduar një rishikim mbi përdorimin e ibuprofenit në doza të larta. Rishikimi konfirmon një rritje të vogël të riskut për probleme kardiovaskulare, si infarkti i miokardit dhe iktusi te pacientët që marrin doza të larta me ibuprofen (baraz ose më shumë se 2400 mg në ditë). Risku nga dozat e larta të ibuprofenit është i ngjashëm me atë të vëzhguar në disa lloje barnash anti-inflamatore jo steroidiene (AIJS), mes të cilëve inhibitorët COX-2 dhe diclofenac.
Nuk janë vëzhguar rritje të riskut kardiovaskular nga ibuprofeni deri në doza 1.200 mg në ditë, që është doza më e lartë e përdorur zakonisht në barnat OTC për përdorim oral në Bashkimin Evropian.
PRAC konfirmoi se përfitimet e ibuprofenit i tejkalojnë risqet, por rekomandoi përditësimin e këshillave për përdorimin në doza të larta të tij për të reduktuar në maksimum risqet kardiovaskulare. Dozat e larta të ibuprofenit duhet të shmangen te pacientët me patologji të rënda kardiake apo të qarkullimit të gjakut, si insufiçencë kardiake ose te ata që kanë pësuar më parë infarkt apo iktus.
Gjithashtu, duhet të vlerësohen me kujdes faktorët e riskut të secilit pacient për sëmundjet kardiake apo të qarkullimit të gjakut para se të fillojë trajtimin afatgjatë me ibuprofen, veçanërisht nëse janë të nevojshme doza të larta. Faktorët e riskut për këto patologji përfshijnë duhanpirjen, tensionin e lartë, diabetin dhe kolesterolin e lartë.
Rekomandimet e PRAC vijnë pas revizionimit të të dhënave mbi ibuprofenin të marra nga publikime të ndryshme, mes të cilave analiza me studime të shumta klinike dhe studime mbi popullatën.
PRAC gjithashtu ka vlerësuar të dhënat mbi ndërveprimin e ibuprofenit dhe aspirinës me doza të ulëta, kur aspirina merret për uljen e riskut të infarktit dhe iktusit. Në studime laboratori ibuprofeni tregoi se ulte efektet anti-agreguese të aspirinës. Megjithatë mbetet e paqartë nëse përdorimi i ibuprofenit në praktikën klinike redukton përfitimet e aspirinës në parandalimin e infarktit të miokardit dhe iktusit. Përdorimi rastësor i ibuprofenit nuk duhet të cenojë përfitimet me doza të ulëta të aspirinës.
Këto rekomandime vlejnë edhe për dexibuprofenin, një bar i ngjashëm me ibuprofenin. Një dozë e lartë me dexibuprofen është baraz ose më e lartë se 1200 mg në ditë.
Rekomandimet e PRAC do t'i dërgohen Grupit të Koordinimit për njohjen e përbashkët dhe Procedurat e Decentralizuara (CMDh) që do të marrë një vendim përfundimtar./AIFA