Farmaci

maj192021

Covid-19. FANS-at nuk rrezikojnë për prognozë më të keqe. Studimi

Sipas një studimi të kohëve të fundit, të publikuar në "Lancet Rheumatology", që ka përfshirë mbi 72.000 vetë, përdorimi i barnave antiinflamatore jo steroide (FANS), siç është ibuprofeni, nuk sjell normë më të lartë vdekjeje apo sëmundjesh të rënda te pacientët e shtruar me Covid-19.
"FANS-at përdoren rëndom në të gjithë botën për të trajtuar një sërë patologjish, nga dhimbjet e lehta, deri te sëmundjet kronike, siç janë artriti dhe sëmundjet kardiovaskulare. Shumë njerëz u besojnë atyre, për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të tyre të përditshme. Kur nisi pandemia, duhet të verifikonim sigurinë e këtyre barnave, te njerëzit me Covid-19. Tashmë kemi një provë të qartë se FANS-at janë të sigurt për t'u përdorur te pacientët me Covid-19", konfirmon Ewen Harrison (Universiteti i Edimburut), autor kryesor i punimit.

Studimi ka mbledhur të dhëna mbi barnat që kishin marrë pacientët me recetë, që po i merrnin apo i kishin marrë brenda 14 ditësh para shtrimit në spital, përveçse informacione demografike dhe anamnezë. Kohortja e studimit përfshinte pacientë me infeksion nga Covid-19 të konfirmuar apo fort të dyshuar, të shtruar në 255 struktura shëndetësore në Angli, Skoci dhe Uells, në periudhën janar-gusht 2020. Nga 72.179 pacientë të përshtatshëm për kohorten, 5,8% (4.211) kishin marrë FANS-a para shtrimit. Janë përdorur analiza modeluese për të vlerësuar efektet e FANS-ave të marrë para shtrimit në spital, mbi normat e vdekshmërisë në spital, rëndesës së sëmundjes, shtrimit në terapi intensive, nevojës për ventilim invaziv ose jo invaziv, përdorimit të oksigjenit shpesë apo zhvillimit të lezioneve renale akute.

Kështu, kush kishte marrë FANS-a, nuk kishte më shumë mundësi të shtrohej në terapi intensive, të kishte nevojë për ventilim invaziv apo jo invaziv, apo për oksigjen. Në studim, rreth një e treta e pacientëve (30,4%; ose 1.279 në 4.211 vetë) që kishin marrë FANS-a para shtrimit në spital për Covid-19 ka vdekur, një normë e ngjashme (31,3%; 21.256 në 67.968) me atë të vëzhguar te pacientët që nuk i kishin marrë ato. Te pacientët me sëmundje reumatologjike, në veçanti, përdorimi i FANS-ave nuk e ka shtuar vdekshmërinë. "Kërkime të fundit dhe studime klinike mund të ndihmojnë për të vendosur përfundimisht nëse FANS-at janë të sigurt në popullsi të ndryshme dhe nëse efektet e tyre antiinflamatore do të ndikojnë te pacioentët me Covid-19", përfundojnë autorët.

 

Lancet Rheumatology 2021. Doi: 10.1016/S2665-9913(21)00104-1
https://doi.org/10.1016/S2665-9913(21)00104-1 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC