Duke ndikuar në mënyrë kalimtare mbi sistemin imunitar, virusi i fruthit i bën fëmijët shumë të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të tjera për një periudhë një ose dy muaj pasi e kanë kaluar atë. Të paktën kështu mendohej deri më sot, sepse studimi i ri i publikuar në revistën "Science" sugjeron se periudha e letargjisë imunologjike e shkaktuar nga fruthi mund të arrijë thuajse të tre vjetët, duke i ekspozuar të vegjlit ndaj infeksioneve, me raste edhe vdekjeprurëse. Artikulli, me autor Michael Mina i departamentit të ekologjisë dhe biologjisë evolutive në "Princeton University" në Nju Xhersi, jep provën epidemiologjike se fruthi mund ta çojë organizmin në një gjendje amnezie imunitare të zgjatur, duke fshirë një pjesë të qelizave të pajisura me kujtesë imunologjike që mbrojnë individin kundër infeksioneve. "Fenomeni ishte i njohur, por tani e dimë se amnezia zgjat më shumë nga ç'e kishim menduar. Me fjalë të tjera nëse sëmuresh me fruthi, në tre vitet pasardhëse të infeksionit mund edhe të vdesësh prej diçkaje, nga e cila nuk do të kishe vdekur kurrë po të mos ishe infektuar nga fruthi", pohon Mina. Këto vëzhgime i hapin rrugën një aspekti shumë të rëndësishëm: vaksina kundër fruthit ofron përfitime që shtrihen përtej mbrojtjes së thjeshtë kundër agjentit përgjegjës për infeksionin. "Nën dritën e këtyre rezultateve, vaksinimi kthehet në një nga ndërhyrjet më me avantazh në terma të kostos dhe efikasitetit për shëndetin global", shpjegon studiuesi i cili bashkë me kolegët u nis nga vëzhgimet e një artikulli të Rik de Swart nga "Erasmus University Medical Center" në Holandë. Ai tregonte se si virusi sulmonte në mënyrë specifike limfocitet T të kujtesës imunitare kundër sëmundjeve të tjera duke krijuar një amnezi të vërtetë imunologjike.
"Pas rreth një muaji numri i qelizave restaurohet, por në vend që të mbrojnë kundër infeksioneve të marra në të kaluarën limfocitet T kujtojnë vetëm virusin e fruthit", pohon Mina, që bashkë me autorët e tjerë të studimit vlerësoi kohëzgjatjen e amnezisë imunitare, duke zbuluar një lidhje mes infeksionit dhe vdekshmërisë nga sëmundje të tjera me kohëzgjatje prej rreth 28 muajsh. "Mesazhi është se vaksina duke reduktuar incidencën e fruthit, duket se sjell edhe rënien e numrit të vdekjeve nga sëmundje të tjera infektive falë efekteve jo të drejtpërdrejtë mbi kujtesën imunitare", përfundojnë autorët.