kor312015
Çmimet e larta të antitumoralëve: 118 onkologë amerikanë notë proteste për uljen e tyre
Janë 118 onkologët amerikanë që kanë hedhur firmat e tyre në një editorial i cili kundërshton çmimet shumë të larta të barnave antitumorale. Autori i parë i artikullit, Ayalew Tefferi nga "Mayo Clinic" Rochester, që në vitin 2013 kishte vënë në dukje se problemi dëmton së pari të sëmurët me kancer. Në atë kohë tema fokusohej te pacientët me leuçemi, por tani shqetësimi është përhapur në të gjitha kontekstet onkologjike.
Për të gjithë antitumoralët e rinj të aprovuar nga FDA gjatë 2014-ës është fiksuar një çmim prej rreth 120 mijë dollarësh për vitin e përdorimit dhe pas ndryshimeve të fundit në mbulimin e sigurimeve shëndetësore në SHBA, pacientët duhet të paguajnë nga xhepi i tyre 20-30% të kostos së këtyre barnave. Mund të ndodhë që ata të paguajnë rreth 25-30 mijë dollarë, shumë e barabartë me gjysmën e të ardhurave mesatare vjetore familjare në Shtetet e Bashkuara (që është rreth 52 mijë dollarë).
Për këtë arsye, shumë të sëmurëve me kancer iu lihet zgjedhja e vështirë nëse duhet t'i shpenzojnë të ardhurat e tyre për këto trajtime apo duhet të heqin dorë nga terapia për t'u kujdesur për nevojat e familjes. Ky vendim është edhe më kritik për të moshuarit, të cilët preken më shpesh nga tumoret dhe kanë të ardhura më të ulëta. Për shkak të kostos së terapisë, 10-20% e pacientëve nuk e merr trajtimin e përshkruar ose e merr më rrallë.
"Sa më të mëdha të jenë shpenzimet në ngarkim të të sëmurit me kancer për terapitë orale, aq më të pakta do të jenë komplikacionet. Ndërsa një pjesëmarrje e mangët në terapi redukton mundësinë e mbijetesës", nënvizojnë ekspertët. Ata propozojnë një sërë ndërhyrjesh që mund të përmirësojnë situatën.
Modifikimet përfshijnë *negociimin me çmimet e barnave duke iu lejuar pacientëve të importojnë barna antitumorale nga vende të tjera ku çmimet janë shumë më të ulëta; *pengimin e marrëveshjeve "pay per delay" (ku kompania me barna patentë të skaduar paguan një kompani prodhuese gjenerikësh që të vonojë hyrjen në treg të një produkti konkurrent); dhe *inkurajimin e organizatave të specializuara që të marrin në konsideratë vlerën e trajtimeve të momentit dhe të elaborojnë rekomandime.
Protestës së onkologëve i është bashkuar edhe lëvizja e pacientëve kundër "kostos së lartë të kancerit", e cila po e përballon problemin nëpërmjet një peticioni online të quajtur "Change.org".
Nga ana tjetër, industria farmaceutike vë në dukje koston e madhe të zhvillimit të barnave dhe nënvizon se si ato që arrijnë në treg janë vetëm një fraksion i vogël i investimeve në kërkimin dhe zhvillimin e qasjeve të reja terapeutike. "Është e qartë që shumë terapi janë komplekse dhe ka edhe shumë dështime. Gjithashtu kemi nevojë për kompani farmaceutike që të nxjerrin përfitime ekonomike për të vazhduar prodhimin e barnave të reja", thotë Richard L. Schilsky, ish-drejtor i Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO). "Megjithatë, asnjë nga këto arsye nuk i motivon skemat e çmimeve aktuale, derisa edhe barnat janë të lehta për t'u zhvilluar, të shpejta për t'u prodhuar dhe marrin mbështetjen e fondacioneve, të qeverisë dhe burimeve të tjera. Sërish dalin në treg me një çmim shumë më të lartë", shton Schilsky.