gus52015
Sitagliptina te pacientët me diabet, nuk e rrit riskun kardiovaskular
Shtimi i sitagliptinës në terapinë e pacientëve me diabet të tipit 2 duket se nuk e rrit mundësinë për efekte anësore kardiovaskulare. Faktin e konfirmojnë rezultatet e një studimi të publikuar në revistën "New England journal of medicine". Jennifer Green, autorja kryesore e artikullit si dhe kërkuese në "DUKE clinical research institute" shprehet se mungojnë të dhëna mbi efektet kardiovaskulare afatgjata mbas shtimit në terapi të sitaglipinës, një inhibitor i dipeptidil peptidasi 4 (Dpp-4) në trajtimin e pacientëve me diabet të tipit 2 dhe sëmundje kardiovaskulare. Për të qartësuar argumentin u zhvillua një studim në të cilin 14.671 pacientë me diabet dhe probleme kardiovaskulare u trajtuan me sitagliptinë ose placebo bashkë me mjekimin e tyre të zakonshëm. Për të treguar se sitagliptina nuk është inferiore ndaj placebos sa i takon riskut kardiovaskular, autorët përdorën si referim vdekjen kardiovaskulare, infarktin e miokardit jo vdekjeprurës, iktusin jo vdekjeprurës dhe shtrimin në spital. "Vëzhgimi i pjesëmarrësve në studim zgjati gati tre vjet dhe ndryshe nga inhibitorë të tjerë Dpp-4, përdorimi i sitagliptinës nuk është shoqëruar me ndonjë rritje të riskut për shtrim në spital si pasojë e insuficencës kardiake", pohojnë kërkuesit. Megjithatë Allan Brett, drejtor i revistës "Journal watch" thotë: "Të tregosh se një antidiabetik nuk është më keq se placebo në terma të riskut kardiovaskular nuk mjafton për të mbështetur përdorimin e tij. Objektivi është që të përmirësohet prognoza klinike e pacientëve dhe ky studim nuk ka treguar asnjë reduktim në përfundimet makro-vaskulare apo mikro-vaskulare. Si rrjedhojë roli i sitagliptinës në trajtimin e diabetit të tipit 2 mbetet ende i paqartë".
N Engl J Med.2015 Jun 8. [Epub ahead of print]