jan252016
Inhibitorët e pompës protonike shtojnë riskun e sëmundjeve kronike të veshkave
Sipas të dhënave të një studimi të publikuar në "Jama Internal Medicine", përdorimi i inhibitorëve të pompës protonike lidhet me një rritje të riskut për të zhvilluar sëmundje kronike të veshkave. "Inhibitorët e pompës protonike janë ndër barnat më të përdorura në nivel botëror, por janë ende të pakta informacionet në dispozicion mbi lidhjen mes përdorimit të tyre dhe nefropatisë kronike", pohon Benjamin Lazarus nga "Johns Hopkins University" në Baltimorë dhe autor kryesor i kërkimit "Atherosclerosis Risk in Communities", që ka përfshirë rreth 10.500 pjesëmarrës me moshë mesatare 63 vjeç dhe pa sëmundje kronike të veshkave në momentin e regjistrimit.
"Kemi ndjekur pjesëmarrësit për një folloë-up mesatar prej 13.9 vjetësh", shpjegon studiuesi, duke saktësuar se të dhënat e marra janë konfirmuar edhe në një kohort më të gjerë të përbërë nga 248.751 persona të ndjekur për një periudhë mesatare prej 6,2 vjetësh.
Lazarus dhe kolegët kanë përdorur qasje të ndryshme statistikore dhe kanë ballafaquar efektet sa i përket sëmundjes kronike të veshkave jo vetëm te pacientët përdorues dhe jo përdorues të inhibitorëve të pompës protonike, por duke ballafaquar edhe përdoruesit e kësaj klase farmakologjike me ata që ishin në fakt në trajtim me inhibitorë të receptorit H2.
"Pas rregullimit sipas variablave demografikë, socio-ekonomikë dhe klinikë, përdorimi i inhibitorëve të pompës protonike rezultoi i kombinuar me një qasje prej 50% të riskut për nefropati kronike në krahasim me mospërdorimin", pohon eksperti duke saktësuar se rezultate të ngjashme janë marrë me metoda të ndryshme në kohortë më të gjerë të përdorur si kontroll.
"Kemi vënë re po ashtu se risku në krahasim me mos përdoruesit rritet sipas raportit dozë/varësi dhe rezulton më i lartë te ata që marrin inhibitorë të pompës protonike dy herë në ditë në krahasim me ata që ndjekin mono-administrime ditore", përfundon Lazarus.
"Inhibitorët e pompës protonike janë kaq shumë të përdorur edhe sepse mendohet se kemi pak efekte anësore, por ky studim na thotë se duhet t'i kushtojmë shumë vëmendje kur mendojmë t'i përshkruajmë", shpjegojnë në një editorial shoqërues Adam Jacob Schoenfeld dhe Deborah Grady nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisco.