shk232016
Paroxetine, nëse merret në tremujorin e parë të shtatzënisë shton riskun për defekte në lindje
Rreziku për keqformime kongjenitale dhe kardiake te foshnja mund të rritet nëse paroxetine, e përshkruar për depresion, shqetësime obsesivo-kompulsive, ankth dhe çrregullime nga stresi post-traumatik, merret në tre mujorin e parë të shtatzënisë. Në këtë përfundim ka arritur një studim i publikuar në "British Journal of Clinical Pharmacology" dhe i koordinuar nga Anick Bérard nga Universitetit të Montrealit.
Afërsisht 1/5 e femrave në moshë fertiliteti ankohen për simptoma që shpesh çojnë në depresion të lehtë ose të rëndë aq sa përshkrimet e antidepresivëve gjatë shtatzënisë janë shtuar në vitet e fundit. Barnat më të zakonshëm për trajtimin antidepresiv të shtatzënave janë inhibitorët e përthithjes së serotoninës (Ssri) dhe të paktën deri në vitin 2005 një nga këta, paroxetine, konsiderohej e sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë.
"Lidhja mes përdorimit të antidepresivëve gjatë shtatzënisë dhe defekteve në lindje ka qenë argument debati në vitet e fundit, por nga studimet e zhvilluara dalin në pah konkluzione konfliktuale", shpjegon Berard. Megjithatë një studim i drejtuar nga kompania prodhuese sugjeronte një shtim të riskut për keqformime kardiake te foshnjat e ekspozuara ndaj paroxetine-s para lindjes. Për të mundësuar një vlerësim të plotë të efekteve të këtij bari te të porsalindurit, kërkuesit kanadezë zhvilluan një metanalizë të studimeve mbi argumentin të publikuara ndërmjet vitit 1966 - 2015, duke seleksionuar 23 prej tyre.
"Krahasuar me mospërdorimin, marrja e paroxentine-s në tremujorin e parë të shtatzënisë lidhet me një shtim prej 23% të mundësisë për keqformime kongjenitale më të mëdha dhe me 28% të riskut për keqformime të rënda kardiake të foshnjës", nënvizojnë kërkuesit. "Duke pasur parasysh përfitimet e diskutueshme të antidepresivëve gjatë shtatzënisë në përgjithësi dhe të inhibitorëve të përthithjes së serotoninës në veçanti, çdo shtim i riskut, i vogël apo i madh qoftë ai, duket ende shumë i lartë", përfundon Bérard.
Br J Clin Pharmacol. 2015. doi: 10.1111/bcp.12849
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26613360
E.T