mar12016
Hipotiroidizmi, levotiroksina likuide më efikase se ajo në tableta
Tri studime të zhvilluara në Itali tregojnë se problemi i numrit të vogël të pacientëve hipotiroidenë që marrin rregullisht levotiroksinë, mund të zgjidhet përfundimisht falë një formulimi të ri të hormonit në solucion likuid në vend të tabletave tradicionale. Pra nuk do të jetë më e nevojshme që të prisni 30 minuta pasi keni marrë tabletën që të hani mëngjes, por ky bar mund të merret në formulim të lëngshëm bashkë me ushqimet e tjera.
Të dhënat e studimit të parë venë në dukje se si elementi kritik i terapisë së hipotiroidizmit është pikërisht impostimi i atij pushimi mes marrjes së levotiroksinës dhe ngrënies së mëngjesit që e bën më të hershëm zgjimin. "Rezultatet e studimit vërtetojnë se levotiroksina në formë likuide mund të merret njëkohësisht me mëngjesin dhe të hidhet direkt në lëngun e frutave, në kapuçino ose në kafe, pa ndikime negative në efikasitetin e barit", pohon Carlo Cappelli, endokrinolog dhe autori kryesor i kërkimit.
Ky studim klinik i ndarë në mënyrë rastësore dhe i kontrolluar me placebo ka regjistruar 77 pacientë (64 gra dhe 13 burra) hipotiroidenë të patrajtuar më parë me barna, të cilët kanë marrë për 6 javë solucionin e lëngshëm të levotiroksinës ose placebo 30 minuta para mëngjesit apo në momentin e ngrënies së tij. Pas trajtimit, pacientët e dy grupeve kanë arritur në një gjendje eutiroide dhe nuk është vëzhguar asnjë diferencë përsa i takon përqendrimeve të TSH, FT4 dhe FT3.
Në praktikën klinike është natyrisht i nevojshëm një kontroll një muaj pas kalimit nga njëra formë e terapisë në tjetrën. Një tjetër studim, i drejtuar nga skuadra e Efisio Puxeddu, prof. ass. në Universitetin e Studimeve në Peruxha, konfirmon se formulimi i lëngshëm i levotiroksinës ka treguar efikasitet të njëjtë terapeutik, sa i takon administrimit të levotiroksinës likuide gjatë ngrënies së mëngjesit ose 10 minuta para.
Studimi i tretë i sapo përmbyllur është ndjekur në 101 pacientë hipotiroidenë me vlera të qëndrueshme të TSH gjatë terapisë zëvendësuese. Kalimi nga terapia tradicionale me tableta në formulimin likuid lidhet me një përmirësim të cilësisë së jetës në pjesën më të madhe të rasteve (66%), duke pasur parasysh deklarimet e vetë pacientëve, ndërsa vlerat mesatare të TSH-së dhe parametrat kryesore metabolike nuk kanë pësuar ndryshime domethënëse. "Anulimi i kohës së pritjes mes marrjes së barit dhe vaktit të parë është një element vërtet esencial për të përmirësuar aderimin e pacientit në terapi", nënvizon Enrico Papini, përgjegjës shkencor i Shoqatës së Mjekëve Endokrinologë.
"Absorbimi i hormonit tiroiden, - thotë Puxeddu, - është i lidhur me shumë faktorë si me marrjen e njëkohshme të ushqimit, kafesë, fibrave, sojës; me aciditetin gastrik të reduktuar, kushte të keqpërthithjes, intolerancë ndaj laktozës apo marrjen e barnave të tjera si inhibitorë të pompës protonike (IPP) dhe antiacidet.
Ky problem mund të zgjidhet me formulimin likuid që duke përmirësuar profilin farmakokinetik të hormonit, e bën më pak të ndikueshëm dhe më të qëndrueshëm absorbimin në një kohë më të shpejtë. Hipotiroidizmi prek femrat në 80% të rasteve, me pike të larta në periudhën post-menopauzale.
1-Thyroid, 2016; 26(2): 197-202. doi: 10.1089/thy.2015.0422.http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26586610
2-Pharmaceutics, 2013; 5(4): 621-33. doi: 10.3390/pharmaceutics5040621.http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/24351573
3-Endocrine, 2015 Nov 4. [Epub ahead of print]
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26537478