pri12016
Studimi në "The Lancet": Paracetamoli asnjë përfitim në osteoartrozë
Në një metanalizë të publikuar në "The Lancet", studiuesit e koordinuar nga Sven Trelle nga Universiteti i Bernës në Zvicër kanë zbuluar se paracetamoli nuk përmbush as standardet minimale të efikasitetit klinik në reduktimin e dhimbjes apo përmirësimin e funksionit fizik të pacientëve me osteoartrozë. "Diklofenak në doza 150 mg ditore është qetësuesi më efikas kundër dhimbjeve afatshkurtra", shkruajnë autorët, duke sugjeruar megjithatë kujdes në përdorimin afatgjatë të anti-inflamatorëve jo-steroidienë (AIJS) për shkak të efekteve anësore.
Për të arritur në këtë përfundim Trelle dhe kolegët kanë analizuar të dhënat e 74 studimeve të publikuara mes viteve 1980 dhe 2015 të zhvilluara në 58.556 pacientë me osteoartozë, duke ballafaquar efektin e 22 trajtimeve të ndryshme dhe të placebos mbi intensitetin e dhimbjes dhe funksionin fizik. "Trajtimet përfshinin paracetamol me doza të ndryshme dhe shtatë AIJS të ndryshme, të gjitha barna që zakonisht bëjnë pjesë në trajtimin e linjës së parë në menaxhimin e dhimbjes së artritit nga e lehtë në e moderuar", shkruajnë kërkuesit duke kujtuar se paracetamoli është bari që përdoret më shpesh në kohë afatgjatë për shkak të efekteve të padëshiruara të barnave kardiovaskulare dhe gastro-intestinale të asociuara me përdorimin afatgjatë të AIJS-ve.
Dhe pas përllogaritjeve, ndonëse të 22 terapitë (pavarësisht dozës) përmirësuan simptomat e dhimbjes në krahasim me placebon, në rastin e paracetamolit efekti ishte vetëm pak më i mirë në krahasim me grupin e kontrollit dhe po ashtu nën kriteret klinike të efikasitetit. Por në një editorial, Nicholas Moore nga Departamenti i Farmakologjisë në Universitetin Bordeaux në Francë, nënvizon kufizimet e studimit: "AIJS të tjera të përdorura gjerësisht nuk ishin përfshirë në metanalizë, ndoshta sepse nuk rezultonin as në studimet e fundit ose ndoshta sepse trialet e vlerësimit ishin mbi raste të kufizuara". Dhe përfundon: "Pavarësisht kësaj, rezultati më i rëndësishëm është se paracetamoli nuk duket se ka asnjë përfitim të vërtetueshëm në osteoartrozë, pavarësisht dozimit".