maj242016
Barnat antidiabetike, nis hetimi mbi riskun e dyfishtë për amputime
Agjencia italiane e barnave ka publikuar një njoftim me informacione të reja të rëndësishme lidhur me hetimin e nisur mbi barnat me bazë canagliflozin (Invokana e Vokanamet) të sugjeruara në trajtimin e diabetit tip 2. Hetimi ka nisur duke marrë shkas nga përkimi mes përdorimit të tyre dhe një incidence dyfish më të lartë për raste amputimesh në gjymtyrët e poshtëm, kryesisht në pjesën e gishtave të këmbës". Prandaj AIFA iu këshillon pacientëve të trajtuar që të rishikohet kura rutinë parandaluese e këmbës, të monitorohen me kujdes pacientët me faktorë risku për prerje dhe të kenë një hidratim të mjaftueshëm.
Rishikimi i barnave me bazë canagliflozin ishte lajmëruar që në prill nga Agjencia Evropiane e Barnave EMA, mbi bazën e të dhënave nga studime në vazhdim, ku nga vëzhgimet e nxjerra nënvizohet se: "Risku në grupet e trajtuara me canagliflozin rezultoi me 6 për 1.000 vjet-pacient, në krahasim me 3 për 1000 vjet-pacient mes atyre të trajtuar me placebo.
Ky risk i shtuar është vërejtur pavarësisht faktorëve predispozues, ndonëse risku absolut ishte më i madh te pacientët me amputime të mëparshme, me sëmundje vaskulare periferike ose neuropati.
Nuk është vërejtur një lidhje dozë-përgjigje. AIFA shpjegon se këto vëzhgime janë aktualisht objekt i hetimeve, ndërsa mekanizmi në bazë të këtyre eventeve nuk është ende i njohur, ndonëse mendohet se dehidratimi mund të luajë një rol në zhvillimin e këtyre eventeve.