qer22016
Aprovohet një bar i ri për trajtimin e kancerit të fshikëzës së urinës
Administrata e Barnave dhe Ushqimit në Shtetet e Bashkuara ka aprovuar atezolizumab për trajtimin e formës më të zakonshme të kancerit të fshikëzës, të njohur si karcinoma uroteliale. Ky është bari i parë i kategorisë së tij ((inibitor PD-1 / PD-L1) i aprovuar për trajtimin e këtij kanceri.
Karcinoma uroteliale është lloji më i zakonshëm i kancerit të fshikëzës në sistemin urinar, duke përfshirë fshikëzën dhe organet e lidhura me të. "National Cancer Institute" (INC) vlerëson se në Shtetet e Bashkuara, në 2016-n mund të ketë 76.960 raste të reja kanceri në fshikëz dhe 16.390 të vdekur nga kjo sëmundje.
Bari ka marrë indikimin për trajtimin e pacientëve me karcinomë uroteliale lokalisht të avancuar ose metastatike në progresion pas terapisë me bazë platini në zonën metastatike ose për pacientët që tregojnë një përkeqësim të sëmundjes brenda 12 muajve nga kimioterapia neoadjuvante ose adjuvante.
Mekanizmi i tij veprues frenon lidhjen e PD-L1 në PD-1, gjë që çon në riaktivizimin e qelizave imunitare të supresuara, por i le të paprekura ndërveprimet PD-L1/PD-1, që mund të ruajnë homeostazën imunitare. Siguria dhe efikasiteti i barit janë studiuar në një trial klinik që ka përfshirë 310 pacientë me karcinomë uroteliale lokalisht të avancuar ose metastatike. Ky studim ka matur përqindjen e pacientëve që kanë eksperimentuar reduktimin e plotë ose të pjesshëm të tumoreve të tyre.
14.8% e pjesëmarrësve në studimin klinik ka manifestuar të paktën një reduktim të pjesshëm të tumoreve të tyre, një efekt që zgjaste nga 2.1 në më shumë se 13.8 muaj në momentin e analizës së përgjigjes. Te pacientët që janë klasifikuar si "pozitivë" për shprehjen e PD-L1, 26% kanë dhënë një përgjigje ndaj tumorit përballë 9.5% të pjesëmarrësve që janë klasifikuar si "negativë" për shprehjen e PD-L1.
Efektet e padëshiruara më të zakonshme të sjella nga pjesëmarrësit në trial kanë qenë lodhje, reduktim i oreksit, të përziera, infeksione të traktit urinar, temperaturë dhe kapsllëk. Bari ka edhe potencialin që të shkaktojë efekte anësore të rënda si infeksione që përfshijnë organe të shëndetshme, mes të cilave mushkëritë, zorrën e trashë dhe sistemin endokrin./AIFA