Ushqyerje

qer132024

Dieta vegjetariane, shëndeti kardiovaskular dhe rreziku për kancer

Sipas përfundimit kryesor të një studimi italian, në të cilin u analizua ndikimi që kanë dietat pa produkte apo nënprodukte shtazore (A/APFD-të) në faktorët e rrezikut të lidhur me zhvillimin e sëmundjeve kardio-metabolike, kancerit dhe vdekshmërisë së lidhur me të, dietat vegjetariane mund ta reduktojnë ndjeshëm rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe atë për disa lloje kanceresh, përmes mekanizmave shumëfaktorialë.

Reduktimi i faktorëve të rrezikut kardio-metabolik
Studimi, i koordinuar nga Angelo Capodici në Universitetin e Bolonjës, ofron një panoramë të evidencave aktuale, duke përforcuar të dhënat e shumë studimeve të mëparshme. "Dietat vegjetariane janë përhapur vitet e fundit, jo vetëm për arsye etike dhe mjedisore, por edhe për shkak të përfitimeve të mundshme që mund të kenë në shëndet. Ky studim përbën një përmbledhje të evidencave ekzistuese, duke vlerësuar se si mund të ndikojnë këto dieta në faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundje kardio-metabolike dhe kancer", shpjegojnë autorët.

Analiza përfshiu studime të publikuara në periudhën janar 2000-30 qershor 2023. U analizuan vetëm studime analitike, sistematike dhe metaanaliza, në të cilat ishin të përfshirë individë të të gjitha moshave, ndërsa u përjashtuan studimet parësore dhe analizat e bazuara në studime klinike ndërhyrjeje, që përdornin dietat A/APFD, si terapi për individët me sëmundje metabolike.

Sipas analizës, profili lipidik u përmirësua, me një reduktim të konsiderueshëm të kolesterolit total (TC) dhe të kolesterolit LDL (LDL-C). U reduktua rreziku për kancer, në veçanti për atë të prostatës dhe u vërejtën përfitime në presionin e gjakut dhe një reduktim i rrezikut për sëmundje kardio-metabolike.

Autorët evidentuan disa kufizime të konsiderueshme. Në radhë të parë, heterogjeniteti i të dhënave, për shkak të ndryshueshmërisë së përmasave të kampionit, të karakteristikave demografike dhe të origjinave gjeografike të individëve të përfshirë në studim, është një sfidë. Gjithashtu, natyra e këtyre analizave mund të mos i përfshijë lidhjet e reja ose urgjente që nuk janë trajtuar në analizat e studiuara.

"Dietat vegjetariane janë të dobishme në reduktimin e faktorëve të rrezikut kardio-metabolik, si dhe sëmundjet kardiovaskulare, rrezikun për kancer dhe për vdekshmëri. Megjithatë, duhet treguar kujdes përpara se të sugjerohet miratimi i A/AFPD, pasi fuqia e evidencave të rezultateve të disponueshme është e kufizuar ndjeshëm nga heterogjeniteti i madh i studimeve dhe rreziqet e mundshme që lidhen me regjimet potencialisht kufizuese", përfundon Capodici.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC