sht92024
Analizat e gjakut. Tre shënjuesit që parashikojnë rrezikun kardiovaskular
Në një studim të publikuar në New England Journal of Medicine, është evidentuar se një analizë e thjeshtë gjaku, që mat njëkohësisht tre bioshënjues kryesorë (inflamacionin përmes proteinës C-reaktive me ndjeshmëri të lartë [hsPCR], kolesterolin LDL dhe lipoproteinën [a]), mund të përbëjë një përparim të rëndësishëm në parashikimin afatgjatë të rrezikut kardiovaskular.
Shënjuesit e monitoruar
Studimi u krye mbi kampionimin e 27.939 operatoreve shëndetësore, që kishin marrë pjesë në Women's Health Study. Pjesëmarrëset, në moshën mesatare 55-vjeçare në nisje të studimit, u ndoqën për një periudhë 30-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, 3.662 gra pësuan infarkt dhe iktus, iu nënshtruan një ndërhyrjeje kirurgjikale për rikthimin e qarkullimit të gjakut, ose ndërruan jetë për shkak të patologjive kardiovaskulare. Ata vlerësuan mënyrën se si PCR me ndjeshmëri të lartë, kolesteroli lipoproteinik me dendësi të ulët (LDL) dhe lipoproteina (a), i kanë parashikuar veç e veç apo së bashku këto ngjarje.
Nivelet e rrezikut
Pjesëmarrëset u ndanë në pesë kategori, në bazë të niveleve të tre shënjuesve të ndryshëm. Rezultatet kanë treguar se gratë me nivele më të larta kolesteroli LDL kishin 36% më shumë rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiake, krahasuar me ato me nivele më të ulëta. Ato me nivele të larta të lipoproteinës (a) kanë shfaqur 33% më shumë rrezik, ndërsa ato me hsPCR më të lartë paraqitën 70% më shumë rrezik. Kur këta shënjues u morën në konsideratë së bashku, pjesëmarrësit me nivele më të larta të tyre, shfaqën 1.5 herë më shumë rrezik për iktus dhe 3 herë më shumë rrezik për sëmundje koronare, krahasuar me ato në nivele më të ulëta.
Nga rezultatet theksohet rëndësia e një vlerësimi më të gjerë të rrezikut kardiovaskular që shkon përtej monitorimit tradicional të kolesterolit LDL. Kombinimi i PCR, LDL dhe lipoproteinës (a) me njëra-tjetrën ofron një parashikim afatgjatë më efikas, duke sugjeruar që strategjitë parashikuese të cilat përshijnë këta bioshënjues mund t'i përmirësojnë ndjeshëm rezultatet kardiovaskulare te gratë. Ky studim evidenton edhe nevojën për ndërhyrje të parakohshme e të synuara, jo vetëm përmes ndryshimeve në stilin e jetës, por edhe përmes qasjeve farmakologjike që përballojnë mekanizma të ndryshëm biologjikë në bazë të sëmundjeve kardiovaskulare.