sht52024
Dietat paleolitike nuk janë pa rreziqe. Ja, cilat janë ato
Sipas një studimi, të ashtuquajturat "dieta paleolitike" nuk janë pa rrezik. Kjo filozofi ushqimore, me objektivin për ta kthyer njeriun në natyrën e tij të vërtetë dhe në ushqimet më të përshtatshme për të, synon të përjashtojë të gjitha ato ushqime që njeriu ka futur pas periudhës parahistorike. Këto regjime ushqimore janë të famshme, por rezultatet e studimit rekomandojnë kujdes në ndjekjen e tyre.
Duke përdorur modele shtazore, disa shkencëtarë studiuan ndikimin e dietës paleolitike dhe zbuluan se, edhe pse janë efikase në rregullimin e peshës dhe në stabilizimin e diabetit, ato kanë një problem: teprica e proteinave që i karakterizon, rrit ndjeshëm prodhimin e amonit, duke mbingarkuar kështu mëlçinë. Teprica e amonit mund të shkaktojë çrregullime neurologjike. "Dietat e pasura me proteina shtazore ose bimore, të njohura si dieta paleolitike, mund të përdoren për stabilizimin e diabetit të tipit 2 dhe për rregullimin e peshës. Këto dieta bazohen në dietat me bazë mishi të periudhës para bujqësisë. Por, çfarë ndikimi kanë në trup? A janë të dëmshme? Këto janë ato që duhet të zbulojmë", shpjegon autori kryesor i studimit, Pierre Maechler.
Amoni është një produkt normal mbetjeje i degradimit proteinik, i eliminuar në mënyrë thelbësore nga enzima glutamat dehidrogjenazë (GDH) në mëlçi. Me qëllim studimin e ndikimit të dietës paleolitikë, studiuesit ushqyen minj të shëndetshëm dhe minj pa enzimë GDH në mëlçi, me një dietë proteinike që imitonte dietën paleolitikë. Ata vërejtën se te minjtë e shëndetshëm, edhe pse teprica e proteinave shtonte prodhimin e amonit, mëlçia e menaxhonte këtë tepricë falë veprimit të enzimës GDH. Nga ana tjetër, te minjtë që nuk e mbartnin këtë enzimë, mëlçia nuk ishte në gjendje ta eliminonte tepricën e amonit toksik të çliruar nga proteinat. Nuk është e nevojshme të priten javë ose muaj. Mjafton një ndryshim disa ditor i dietës për të vërejtur pasoja të rëndësishme", shpjegojnë autorët.
Ata arritën në përfundimin se këto rezultate sugjerojnë që në rastin e disfunksionit të enzimës GDH, dietat me përmbajtje proteinike mund të shkaktojnë prodhim të tepruar amoni. Amoni i paeliminuar nga mëlçia mund të shkaktojë çrregullime të rënda, sidomos nga ana neurologjike. Një analizë gjaku mund të vlerësojë aktivitetin e GDH-së, me qëllim shmangien e mbingarkimit të metabolizmit me proteina te individët që nuk e mbartin këtë enzimë. Pra, duhet të jemi të mirëinformuar përpara se të ndjekim një dietë me përmbajtje të lartë proteinike.