sht272024
Diabeti i tipit 2. Shtohet rreziku me konsumin e ushqimeve të mbipërpunuara
Sipas një studimi të publikuar në The Lancet, ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet konsumit të ushqimeve të mbipërpunuara dhe rrezikut të lartë për zhvillim të diabetit 2. Në analizën e kryer mbi 311.892 individë të ndjekur mesatarisht për 10.9 vjet, është treguar që çdo rritje me 10% në konsumin ditor të ushqimeve të mbipërpunuara (UPF) lidhej me 17% më shumë rrezik për diabet.
Çfarë janë ushqimet e mbipërpunuara?
Ushqimet e mbipërpunuara janë përkufizuar si produkte industriale me përbërës që kanë kaluar në faza të shumta përpunimi, përfshirë shtesat, si ngjyruesit, konservuesit dhe aromatizuesit. Këto ushqime nuk ngjasojnë më me ushqimet origjinale dhe përfshijnë produkte si drithërat për mëngjes, snack-et e ëmbla dhe të kripura, pijet me sheqer dhe ushqimet e gatshme.
Në studim, ushqimet u ndanë sipas klasfikimit Nova in:
1. Ushqimet e papërpunuara/të përpunuara pak (MPF)
2. Përbërësit kulinarë të përpunuar (PCI)
3. Ushqimet e përpunuara (PF)
4. Ushimet e mbipërpunuara (UPF)
Gjatë periudhës së ndjekjes, u identifikuan 14.236 raste të reja me diabet të tipit 2. Në analizë u tregua se çdo rritje me 10% në konsumin e UPF lidhej me 17% më shumë rrezik për zhvillim të diabetit të tipit 2. Nga ana tjetër, shtimi i konsumit të UPF+PCI ose PF me 10% lidhej me një rrezik më të ulët për zhvillim të sëmundjes (përkatësisht 6% dhe 8% reduktim të rrezikut).
Ndikimi në shëndet dhe mekanizmat bazë të rrezikut
Nga studimi rezultoi se konsumi i shtuar i ushqimeve të mbipërpunuara ndikon ndjeshëm në shtimin e rrezikut për diabet të tipit 2. Nga ana tjetër, konsumi i ushqimeve të përpunuara pak, si frutat, perimet dhe mishi i freskët, ka rezultuar mbrojtës kundrejt zhvillimit të sëmundjes.
Zëvendësimi i ushqimeve të mbipërpunuara me ushqime pak ose mesatarisht të përpunuara, si ato të zjera ose të përgatitura në shtëpi, lidhej me një reduktim të rrezikut për diabet. Në veçanti, shtimi i konsumit të produkteve të freskëta dhe pak të transformuara ka sjellë përfitime në reduktimin e rrezikut për zhvillim të kësaj patologjie.
Rreziku më i madh i lidhur me ushqimet e mbipërpunuara, me shumë mundësi lidhet me cilësitë e tyre të dobëta ushqimore, me dendësinë e lartë energjitike dhe me përmbajtjen e lartë të yndyrave të ngopura, sheqernave dhe natriumit. Këto ushqime priren të nxisin shtimin e peshës ose obezitetin, të cilët janë faktorë kryesorë rreziku për zhvillimin e diabetit të tipit 2.