qer202016
Me metforminën dhe insulinën risk më i ulët vdekshmërie. Përplasje opinionesh mes studiuesve
Personat me diabet tip 2 të trajtuar me insulinë + metforminë rrezikohen më pak nga vdekja dhe eventet kardiake, në krahasim me personat e trajtuar vetëm me insulinë, nënvizon një studim i zhvilluar nga kërkuesit e Universitetit të Cardiff (Britani e Madhe), të drejtuar nga Craig Currie. Një studim që pavarësisht se vlerëson efektet e metforminës, haptazi paralajmëron rreth risqeve të trajtimit me insulinë. Por nën këtë profil kundërshtohet nga Carlo Bruno Giorda, ish-president i AMD (Shoqatës së Mjekëve Diabetologë në Itali).
"Autori i këtij studimi, Currie, është një epidemiolog sigurisht i zoti në shkrimin e punimeve, por që vetë e pranon se nuk ka një eksperiencë të madhe në fushën klinike dhe sipas opinionit tim, nxjerr gjithnjë përfundime disi të nxituara dhe katastrofike, - pohon Giorda. -Sa për të sjellë një shembull, rreth 6 vjet më parë në "Lancet" kishte publikuar një studim vëzhgimor nga i cili dilte se pacientët që kishin më pak se 7% hemoglobinë të glikuar vdisnin më shumë dhe prandaj dilte në përfundimin se udhëzuesit duhej të synonin nivele të HbAic diku te 8%. Punimi në atë kohë kishte bërë bujë sepse kishte dalë pak a shumë në gjurmët e studimit "Accord" i cili ishte ndërprerë për shkak të rritjes së vdekshmërisë në krahun e trajtuar në mënyrë intensive dhe në atë moment kishte një frymë që frynte kundër uljes së hemoglobinës së glikuar. Gjithashtu Currie nuk i analizon kurrë studimet me randomizim (përzgjedhje rastësore), por vetëm studime vëzhguese, të cilët janë shumë të vlefshëm, por kanë limitet e tyre në konkluzione".
Edhe në këtë rast në fakt, bëhet fjalë për një kërkim retrospektiv që ka marrë në shqyrtim personat me diabet tip 2, të cilët janë trajtuar me insulinë, me ose pa metforminë nga viti 2000 e në vazhdim. Nga një bazë të dhënash në mjekësinë e përgjithshme janë identifikuar 12.020 persona, të monitoruar mesatarisht për tre vjet e gjysmë që nga momenti që kanë marrë përshkrimin e insulinës.
Kërkuesit zbuluan se nëse përdorej në kombinim me insulinën, metformina ishte në gjendje të reduktonte vdekshmërinë dhe eventet madhore kardiake (Mace). "Nga viti 1991, norma e përdorimit të insulinës në diabetin tip 2 ishte shtuar me 6-fish në Britaninë e Madhe, - pohon Currie. - Në vitet e fundit, metformina ishte përdorur si trajtim edhe bashkë me insulinën. Puna jonë ka treguar se shtimi i dozës së insulinës është e lidhur me vdekshmërinë dhe sulmet në zemër. Edhe studimet ekzistuese kanë treguar se metformina mund të zbusë risqet e lidhura me insulinën. Në këtë kërkim kemi ekzaminuar dozën e insulinës si dhe impaktin e kombinimit të saj me metforminën dhe kemi zbuluar një reduktim të ndjeshëm të vdekshmërisë dhe problemeve kardiake kur ky bar ekonomik u përdor në kombinim me insulinën".
Nga ana tjetër, Giorda shprehet: "Reduktimi i vdekshmërisë mund të marrë shkas nga një efekt favorizues i metforminës,- pohon Giorda. -Në fund të fundit e dimë se metformina deri pak kohë më parë ishte i vetmi bar që kishte një minimum provash për reduktimin e vdekshmërisë, mbi të gjitha për shkaqe kardiovaskulare (dikush thotë edhe neoplazike, por prova të sigurta nuk ka). Problemi i këtyre studimeve, është fakti që janë vëzhguese dhe jo randomizuese (me përzgjedhje rastësore), ndonëse statisticienët kanë shpikur metoda matematikore si propensity score (që lejon minimizimin e prirjes për trajtim, apo përshkrimin e një bari një pacienti sepse ka nevojë), mbetet gjithnjë dyshimi për një 'indication bias'. Pra me fjalë të tjera nëse pacienti është i indikuar për atë trajtim dhe prandaj e merr trajtimin, por ajo që ndodh më pas nuk është e thënë që të jetë pasojë e barit, mund të lidhet edhe me faktin se sa e rëndë është sëmundja. Kjo në një studim vëzhgimor është një enigmë e pazgjidhshme dhe e vetmja mënyrë për t'ia dalë është randomizimi, - pohon Giorda. - Metformina mbetet një bar i rëndësishëm dhe jep përfitime, por të jemi të kujdesshëm kur identifikojmë insulinën si shkakun real të vdekshmërisë së shtuar, sepse insulina nuk është gjë tjetër veçse një marker me ashpërsim më të madh të kushteve të pacientit".
PLoS One, 2016; 11(5):e0153594. doi: 10.1371/journal.pone.0153594