Farmaci

sht212023

Antidiabetiku që mund të trajtojë fibrozën dhe atrofinë muskulare

Sipas një studimi të botuar në revistën "Aging Cell", metformina, një medikament i zakonshëm që përdoret në trajtimin e diabetit, mund të parandalojë gjithashtu atrofinë muskulare dhe fibrozën, duke ndihmuar të rriturit të rikuperohen më shpejt. Ndërsa individët plaken, ata kanë më shumë mundësi që  të zhvillojnë sëmundje kronike ose të hospitalizohen, dhe atrofia muskulare i rrit këto rreziqe. Ekipi hulumtues i Universitetit të Shëndetit në Utah kërkoi një zgjidhje terapeutike që mund të trajtonte në mënyrë të përshtatshme si atrofinë që vjen nga mospërdorimit i muskujve ashtu edhe rikuperimin e muskujve.

Me plakjen eliminimi i qelizave të vjetra që grumbullohen bëhet më i vështirë

Te njerëzit më të rinj dhe të shëndetshëm, plakja afatshkurtër është e nevojshme për rikuperimin e duhur nga lëndimet dhe bllokimi i plotë i efektit të plakjes pengon përpjekjet e trupit për t'u shëruar. Në përgjithësi, një person i ri mund të shërohet më lehtë nga mospërdorimi i muskujve pa pasur nevojë për kirurgji. "Në rastin e plakjes, ne e dimë se ka mosfunksionim imunologjik", thotë autori kryesor i studimit Drummond, duke shtuar se "me kalimin e moshës, bëhet më e vështirë për trupin të eliminojë qelizat e vjetra që grumbullohen. Kjo është një nga arsyet pse rikuperimi është shumë më i ngadalshëm te të moshuarit pas periudhave të pasivitetit".

Terapia fokusohet në qelizat e vjetra

Studimet paraklinike kanë treguar se metformina mund të veprojë në qelizat e plakura, duke ndihmuar qelizat e muskujve të rimodelojnë dhe riparojnë më mirë indet gjatë periudhave të rikuperimit pas pasivitetit. Për të testuar ndërhyrjen te njerëzit, ekipi përzgjodhi në mënyrë rastësore 20 subjekte të moshuar të shëndetshëm, të cilët iu nënshtruan një biopsie muskulare dhe rezonance magnetike përpara procedurës, e cila përfshinte pesë ditë pushim në shtrat. Një grup prej 10 individësh morën metforminë dhe grupi me 10 individë të tjerë morën placebo gjatë një periudhe kohore dy-javore; më pas secili grup vazhdoi trajtimin me placebo ose metforminë gjatë pushimit në shtrat. Më pas, pjesëmarrësit iu nënshtruan një tjetër biopsie të muskujve dhe një MRI-je dhe trajtimet u ndërprenë.

Metformina redukton shënjuesit e plakjes së muskujve dhe nxit rikuperimin te të moshuarit


"Kur pjesëmarrësit merrnin metforminë gjatë pushimit në shtrat, ata kishin më pak atrofi muskulore. Gjatë periudhës së rikuperimit, muskujt e tyre gjithashtu kishin më pak fibrozë apo kolagjen të tepërt që mund të vështirësonte funksionimin e duhur të muskujve", shpjegoi studiuesi. Nga analiza e biopsive të muskujve, studiuesit zbuluan gjithashtu se pjesëmarrësit që merrnin metforminë kishin më pak shënjues të plakjes qelizore. "Metformina është e lirë, efektive dhe mjaft e sigurt; prandaj, është interesante të shohim se ne mund ta përdorim atë për të përshpejtuar shërimin te të moshuarit", përfundoi Drummond. Ekipi po studion mundësinë e kombinimit të medikamentit me leucinën, një aminoacid që nxit rritjen dhe mund të përshpejtojë rikuperimin. Ata kanë demonstruar tashmë fuqinë e këtij kombinimi në studimet paraklinike mbi kafshët dhe synojnë ta konfirmojnë këtë në studimet klinike njerëzore.
 

Paolo Levantino 
Farmacist klinik dhe gazetar shkencor

https://onlinelibrary.wiley.com/doi/10.1111/acel.13936


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC