sht162016
Barna 'low cost': Italianët drejt Sllovenisë për kategorinë C me gjysmë çmimi
Nga Italia në Slloveni për të blerë barna me gjysmë çmimi. Fenomeni migrator për blerjet 'low cost' që prek barnat e kategorisë C dhe C bis (pra ato që mund të blihen me recetë ose barna të banakut), është tashmë një praktikë e konsoliduar, sipas raportimeve të gazetave lokale. Blerja në Slloveni është shumë e thjeshtë, meqë është fjala për një vend të komunitetit evropian dhe recetat e firmosura nga mjekët italianë pranohen pa probleme. Barnat janë identike, edhe në konfeksion, por janë më pak të shtrenjta sepse kompanitë farmaceutike caktojnë tarifa mbi bazën e kostos së jetesës të vendeve të veçanta, njësoj siç bëjnë multinacionalet e cigareve dhe çisburgerave.
Nuk ekziston pra një çmim i vetëm europian dhe ndodh kështu që Sllovenia të jetë shumë tërheqëse për shtetet fqinje. Pilula kontraceptive, barna kundër impotencës, hormone për fekondim të asistuar, janë barnat që italianët përdorin më shpesh dhe që shkojnë përtej kufirit për t'i blerë me kosto të ulët.
Çmimet janë në fakt shumë tërheqëse: në Slloveni, tableta Yaz shitet me 7.68 euro, më pak se gjysma e çmimit në Itali (16.95 €). Dhe kursehet shumë edhe me 'tabletat e dashurisë': tetë tableta Vizarsin 50 (gjeneriku i Viagras) blihen me 23.62 euro në Slloveni kundrejt 82 eurove në Itali; po ashtu tetë Cialis 20 mund të blihen për 95 € në vend të 128.4 €. Dhe po të kalojmë në kategori të tjera barnash p.sh.: një anksiolitik si Lorans 2.5 që në Slloveni kushton 4 €: në Itali ka një kosto prej 9.45€.
Por edhe pse fenomeni është në rritje, duket se nuk i shqetëson farmacistët e Triestes në kufi me Slloveninë. "Jemi mundësia e fundit që mbetet para se të shkohet e të blihet andej. Konsumatorët janë të kujdesshëm dhe të lidhur në raportin që kanë krijuar me farmacistin", shprehet presidenti i Urdhrit të Farmacistëve në Trieste, Marcello Milani dhe pronar i një farmacie pikërisht pak metra nga kufiri, i cili gjithashtu paralajmëron: "Kujdes mos e konsideroni koston e ulët të barit si një arsye për të abuzuar: pas prezantimit të produkteve gjenerike në Itali, mundësia për të blerë psikobarna me çmime më të leverdisshme ka shumëfishuar përdorimin e tyre dhe ky nuk është një sinjal i mirë".
Rossella Gemma