sht192016
Astma pediatrike, ndryshe nga ç'mendohej paracetamoli nuk e përkeqëson sëmundjen
Te fëmijët me astmë të lehtë persistente, administrimi i paracetamolit nuk ndikon në shtimin e frekuencës të episodeve astmatike as në përkeqësimin e kontrollit të sëmundjes, në krahasim me ibuprofenin. Këto janë rezultatet e një studimi klinik të publikuar së fundi në "New England Journal of Medicine".
Shumë fëmijë nën moshën 12 vjeç marrin paracetamol sipas nevojës çdo javë, gjë që e bën barin më të përdorur në Shtetet e Bashkuara në kontekstin pediatrik", pohon një ndër autorët e artikullit William Sheehan nga Divizioni i alergologjisë dhe imunologjisë të "Children's Hospital" në Boston dhe Harvard Medical School. Ai kujton se të dhënat vëzhgimore të mbledhura deri më tani në grupmosha të rritura dhe pediatrike sugjeronin një lidhje domethënëse mes përdorimit të paracetamolit, simptomave astmatike dhe reduktimit të funksionit pulmonar.
Prandaj është zhvilluar edhe studimi AVICA (Acetaminophen versus Ibuprofen in Children with Asthma), me në fokus verifikimin nëse paracetamoli në krahasim me ibuprofenin është i lidhur me një sëmundshmëri më të madhe të astmës te fëmijët me moshë 12 - 59 muaj të prekur nga astma e lehtë persistente. "Të 300 pjesëmarrësit në trialin multiqendror në grupe paralele janë përzgjedhur në mënyrë rastësore që të marrin paracetamol apo ibuprofen kur ishte e nevojshme për të reduktuar temperaturën dhe dhimbjet për një periudhë 48 javore", shkruajnë autorët. Ata thonë se duke qenë të dyja barna të disponueshme për publikun si specialitet i banakut, është regjistruar edhe një përdorim shtesë. Gjatë follow up-it numri mesatar i episodeve astmatike për pjesëmarrës ka qenë me 0.81 me paracetamolin dhe 0.87 me ibuprofenin. "Pra përdorimi sipas nevojës i paracetamolit nuk lidhet me një incidencë më të madhe episodesh astmatike apo me një përkeqësim të simptomave krahasuar me ibuprofenin", përfundon Sheehan.
Dhe Augusto Litonjua, nga Brigham and Women Hospital në Boston, komenton në një editorial: "Falë rezultateve të studimit AVICA, pediatërit dhe familjarët e fëmijëve astmatikë që kanë nevojë për paracetamol për të ulur temperaturën apo dhimbjet mund të rrinë të qetë: bari nuk i përkeqëson simptomat e astmës".
N Engl J Med. 2016. doi: 10.1056/NEJMoa1515990
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/27532828
N Engl J Med. 2016. doi: 10.1056/NEJMe1607629
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/27532835