shk242017
Kurat kundër kancerit dhe çmimet e larta, shumë pacientë reduktojnë konsumin e barnave
Të mbijetuarit nga kanceri me moshë mes 18-64 vjeç kanë tendencën të ndryshojnë ose reduktojnë konsumin e barnave për arsye financiare. Në këtë përfundim ka dalë studimi i publikuar në revistën "Cancer" dhe i koordinuar nga Zheng Zhiyuan, i Shoqatës Amerikane të Kancerit, në Atlanta. "Ndonëse rritja e çmimeve të barnave onkologjike ka imponuar një barrë të rëndë në shpenzimet e të sëmurëve me tumor dhe familjet e tyre, mungojnë të dhënat në rang kombëtar mbi ndryshimet e terapive për motive financiare mes të mbijetuarve nga kanceri në SHBA", shkruajnë autorët, të cilët duke përdorur të dhënat e National Helath Intervieë Survey mes vitit 2011 dhe 2014, kanë identifikuar 8.931 të rritur të mbijetuar nga kanceri duke i krahasuar me më shumë se 125.000 individë pa histori tumori.
Ndër parametrat e marra në konsideratë ishin: reduktimi i konsumit i një ose më shumë barnave, kërkesa ndaj mjekut për barna me kosto më të ulët, blerja e barnave në vende ku çmimet ishin më të ulëta dhe përdorimi i terapive alternative. Dhe pas përllogaritjeve doli se në grupmoshën mes 18 dhe 64 vjeç, të mbijetuarit ndaj kancerit ishin më të prirur të ndryshonin ose reduktonin barnat për arsye financiare, krahasuar me ata që nuk kishin një histori tumori. "Duhet të shohim me sy kritik teknologjitë e reja dhe barnat me kosto të lartë por me përfitime të paqarta", komenton në një editorial Daniel Goldstein nga Rabin Medical Center në Izrael, i cili shton se edhe pse disa teknika ofrojnë avantazhe të dukshme, është e nevojshme të jemi të kujdesshëm para se të përdorim fonde publike dhe private për ndërhyrje të tilla si kirurgjia robotike, terapia protonike dhe testet gjenomike.