mar222017
Shoqata Amerikane e Diabetit përditëson rekomandimet për kurat
Shoqata Amerikane e Diabetit (ADA) ka publikuar në revistën Annals of Internal Medicine një panoramë të standardeve të kurave mjekësore për diabetin të azhornuara për vitin 2017. Azhornimi përfshin një analizë mbi kërkimet e reja të zhvilluara mes janarit dhe nëntorit të 2016-s për të shtuar, qartësuar apo rishikuar rekomandimet në bazë të provave të reja.
Rekomandimet janë të klasifikuara sipas gradave A, B ose C sa i takon cilësisë së provave ose E kur rekomandimet vijnë nga një konsensus i ekspertëve ose eksperienca klinike. ADA e azhornon çdo vit këtë dokument për një numër të madh aspektesh të diagnozës dhe menaxhimit të pacientëve me diabet. Pasqyra përmbledhëse e publikuar në revistë dhe e përgatitur nga James Chamberlain merret veçanërisht me qasjet farmakologjike për pacientët me diabet tip II, ku në vazhdim listohen disa aspekte të rëndësishme. Metformina mbetet regjimi i linjës së parë i preferuar dhe duhet të përshkruhet në pjesën më të madhe të pacientëve në momentin e diagnozës me përjashtim të rasteve kur ka kundër-indikime. Një dozë duke filluar nga 500 mg një ose dy herë në ditë mund të ndihmojë në minimizimin e efekteve anësore gastrointestinale dhe në vazhdim mund të dozohet deri në 2 g në ditë.
Në rast kundër-indikimesh ose tolerance të vogël, mjekët duhet të përdorin një qasje të fokusuar te pacienti në mënyrë që të zgjedhin mes agjentëve të tjerë të disponueshëm. Terapia e dyfishtë duhet të merret në konsideratë për pacientët asimptomatikë me HbA1c të barabartë ose më të madhe se 9%; insulina mund të jetë e këshillueshme për pacientët simptomatikë ose për ata me një HbA1c të barabartë ose më të madhe se 10%, ose vlera të glukozës në gjak të barabarta me 300 mg/dl ose më shumë.
Ann Intern Med. 2017. doi: 10.7326/M16-2937
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/28288484