mar242017
Edhe dhimbja është gjinore: femrat vuajnë shumë më tepër se meshkujt
Sipas një studimi të zhvilluar në mbi 85 mijë të rritur në 17 vende të botës, simptomat e dhimbjes kronike të çfarëdo lloji prekin 45% të grave, në krahasim me 31.4% të burrave. Ky është një shembull sesi mjekësia gjinore ka zgjeruar horizontin e saj edhe me analogjinë dhe terapinë e dhimbjes.
"Gratë kanë më shumë sindroma të dhimbshme dhe sëmundje që i shkaktojnë atyre vuajtje: Krahasuar me meshkujt janë të prekura nga fibromialgjia 6 herë më shumë, nga lupusi eritematoz sistemik 9 herë më shumë, nga cefalea primare dhe kronike 4 herë më shumë dhe nga artroza (në postenopauzë) 3 herë më shumë. Pavarësisht kësaj marrin më pak vëmendje diagnostike dhe terapeutike, duke e gjetur kështu veten të detyruara të vuajnë më shumë dhe më gjatë", pohon Alessandra Graziottin, drejtore e qendrës gjinekologjike në Spitalin San Raffaele Resnati në Milano dhe Presidente e Fondacionit Graziottin për kurën e dhimbjeve te gratë.
Momenti kritik vjen pas pubertetit, kur sëmundjet inflamatore dhe autoimune dyfishohen apo trefishohen te femrat për shkak të hormoneve seksuale në qelizat që rregullojnë mbrojtjen imunitare. Në veçanti luhatjet e estrogjenit, përgjatë ciklit menstrual, stimulojnë çlirimin e substancave inflamatore te indet, duke shtuar inflamacionin dhe dhimbjen. "Veçanërisht të përfshira janë mastocitet, prania e të cilave me çlirimin e mediatorëve dhe afërsia me fibrat nervore e bën dhimbjen kronike. Sa më shumë të vazhdojë vuajtja, - shprehet Graziottin, - aq më shumë shtohet ndjeshmëria në sistemin nervor qendror (SNQ). Kështu dhimbja bëhet gjithnjë e më autonome në krahasim me inflamacionin dhe bëhet sëmundje në vetvete, pra dhimbje neuropatike".
"Mekanizmat endogjene të vëna në zbatim për modulimin dhe kontrollin e dhimbjes te gratë kanë një aktivitet të reduktuar, gjë që shpjegon pragun e dhimbjes, - shprehet Diego Fornasari, docent i Farmakologjisë në Universitetin e Studimeve në Milano. - Te gratë ka edhe një përgjigje të ndryshme për terapitë: te burrat dhe gratë barnat tregojnë ndryshime si farmakokinetike dhe farmakodinamike edhe për shkak të sintezës së ndryshme të enzimave hepatike për metabolizmin ksenobiotik. Kjo tregon që të jesh femër përbën në vetvete një faktor risku të pavarur për zhvillimin e efekteve anësore".
Mes analgjezikëve të toleruar më mirë nga gratë, në bazë të studimeve klinike dhe të farmakovigjilencës (përveç se me një tradite të gjatë përdorimi) është paracetamoli, i cili ka një profil të mirë sigurie edhe në postmenopauzë.
Në moshë fertile format e dhimbjes më të zakonshme janë të lidhura me menstruacionet. Paracetamoli është veçanërisht i indikuar në trajtimin e dismenorrheas primare dhe sëmundshmërive të asociuara, për karakteristikat e tij menaxhuese dhe të sigurisë.
"Sindromat e dhimbjes janë gjendjet që i paraqiten më shpesh farmacistit, - shprehet Eugenio Leopardi, president i Unionit italian të farmacistëve (Utifar), - dhe në 6 nga 10 raste analgjeziku i jepet një pacienteje femër. Roli i farmacistit është me rëndësi të madhe për të drejtuar gruan në zgjedhjen e principit aktiv më të indikuar, duke qartësuar se AIJS-të duhen shmangur nëse jeni në terapi me antikoagulantë, nëse vuani nga gastriti apo refluksi dhe në rast shtatzënie".