Farmaci

dhj122017

Një konflikt i panevojshëm

Të nderuar kolegë!

Po ju drejtohem në lidhje me një shkresë të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë në gusht të këtij viti (date 04.08.2017,nr.3329/1), drejtuar Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, pas kërkesës së qëllimshme nga ana e këtij të fundit. Kjo përgjigje, e cila ka përmbajtje të kundërligjshme, do të prodhojë pasoja diskriminuese ndaj disa farmacistëve. Urdhri, mbështetur te kjo shkresë, ka nxjerrë një Vendim të Këshillit Kombëtar duke realizuar një formë presioni të kamufluar për dorëzimin e njërës prej dy certifikatave që disponojnë shumë farmacistë, njërën si të punësuar dhe tjetrën si drejtues teknik. Kjo, e përkthyer në terma praktikë, e kufizon farmacistin të punojë vetëm në një farmaci ose Agjenci Farmaceutike, ndërkohë që dypunësimi njihet me ligj.
Paligjshmëria e kësaj shkrese, por edhe e akteve të nxjerra në mbështetje të saj, janë të pavlefshme. Së pari, bien ndesh me kushtetutshmërinë, sepse interpretim ligjor me efekte juridike ka të drejtë të bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese. Së dyti, nuk është urdhër, sepse vetëm ai merr fuqinë e ligjit bazuar në Kushtetutë, por edhe për këtë janë përcaktuar rastet kur ministri harton dhe nxjerr urdhra. Së treti, ligji i barnave mban datën 31.07.2014 dhe nëse Urdhri do të kërkonte interpretim për nenet 29 dhe 40 të tij, ka pasur plot tre vjet e gjysmë kohë të vlefshme t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, por e ka bërë në MSH dhe në periudhën kur ministrat nuk e gëzonin një të drejtë të tillë. Së katërti, me sa kam informacion, si kërkesa e dërguar nga Urdhri në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë, ashtu edhe përgjigjja e kthyer nga ana e kësaj të fundit. kanë lidhje me një punonjës të Urdhrit, i cili në këtë periudhë u caktua këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë për problemet farmaceutike dhe pasi përfundoi me sukses misionin, u kthye përsëri tek Urdhri duke u graduar Sekretar i Përgjithshëm. Së fundi, indicioja e një enti publik, Urdhrit, për të shfrytëzuar rastin, Ministrinë, në momente të pafuqisë vendimmarrëse dhe për të thënë para farmacistëve se "fajin e ka Ministria e Shëndetësisë që ka dërguar një shkresë dhe jua heq këtë të drejtë", përbën një akt të pamoralshëm të një organizmi profesional që predikon etikë dhe moral.
Në momentin që jam njohur me këtë korrespondencë që mund të sjellë diskriminim qoftë edhe të një farmacisti të vetëm, në cilësinë e Presidentit të Nderit të Urdhrit të Farmacistëve dhe si njohës i mirë i legjislacionit farmaceutik, nëpërmjet Facebook-ut iu bëra thirrje farmacistëve të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe kam bërë me dije institucionet kompetente të ndërhyjnë për shfuqizimin e shkresave të kundërligjshme. Ligji 105/2014 si dhe VKM Nr. 584, datë 26.05.2009 përcaktojnë qartë që farmacisti nuk mund të ushtrojë rolin e drejtuesit teknik në më shumë se një farmaci dhe nuk ka përcaktuar kufizime të tjera. Me besimin tek institucionet që kanë marrë dijeni dhe vendosmërinë tuaj, të mbrojtur nga ligji, ju siguroj se edhe kjo paudhësi e Urdhrit të Farmacistëve, ndaj farmacistëve, shumë shpejt do të kthehet në rrugën ligjore duke i kujtuar misionin për mbrojtjen e profesionit dhe të profesionistëve.

 

Arian Jaupllari


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC