Farmaci

dhj102021

Farmacitë rrjet punësojnë individë të palicencuar. UFSH: Ushtruam kontrolle dhe kapëm disa raste, por gjykata nuk i penalizoi të gjithë. Duhet ndryshuar ligji

Pak kohë më parë, Urdhri i Farmacistëve Shqiptarë ushtroi disa kontrolle nëpër farmaci ku gjeti shkelje të tilla, si për shembull që shërbimi në banak për pacientët ofrohej nga një person jo farmacist dhe këto nuk ishin një apo dy raste. Farmacist33 iu drejtua presidentes së UFSSH-së, zonjës Diana Toma për të mësuar mbi masat që u ndërmorën dhe nëse ato patën efektin e pritshëm.

 

- Zonja Toma, çfarë masash u morën konkretisht ndaj individëve të palicencuar që ushtronin profesionin e farmacistit?

- Urdhri i Farmacistëve ushtroi të drejtën e tij lidhur me kontrollin e ofruesve të kujdesit farmaceutik, që janë farmacistët anëtarë të UFSH-së (kjo, referuar ligjit) dhe gjeti persona të cilët nuk e kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të farmacistit, duke e ushtruar këtë veprimtari. Në zbatim të Statutit të UFSH-së u morën masat e parashikuara për zbatueshmërinë e tij, ku drejtuesi teknik i subjekteve, si personi përgjegjës për veprimtarinë teknike profesionale e për pasojë edhe atë ligjore të farmacisë, mori penalitetet e përcaktuara si pasojë e mosushtrimit të funksionit të tij. Shkeljet u vërejtën kryesisht te rrjetet farmaceutike. Çështja shkoi deri në gjykatë dhe ndonëse shkelja ishte e njëjtë, gjykata, në varësi të individëve, doli në përfundime të ndryshme, pro dhe kundër vendimit të marrë nga UFSH-ja.
Besoj se jo vetëm neve, por gjithkujt i duket absurd dhe njëherazi ndihet i pambrojtur dhe i rrezikuar, kur gjykata nuk penalizon personat që nuk janë farmacistë dhe që ushtrojnë profesionin e farmacistit në një farmaci. Realisht, nuk është aspak për t'u çuditur, pasi të jetuarit në Shqipëri dhe njohja e realitetit shqiptar më gjerë se kufijtë e sistemit farmaceutik, na bën që duke buzëqeshur, të shqiptojmë frazën "epo, këto janë çuditë shqiptare". Individët që nuk kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të farmacistit dhe ushtrojnë profesionin e farmacistit në farmaci, kthehen në një rrezik të drejtpërdrejtë e të përhershëm për jetën e qytetarëve. Kjo është arsyeja pse UFSH-ja ka propozuar që në Kodin Penal, përvetësimi i uniformës së farmacistit në mënyrë të posaçme të trajtohet si vepër penale (siç trajtohet profesioni i ekspertit kontabël). Edhe ky propozim nuk gjeti zgjidhje. E gjejmë absurd penalitetin me një gjobë simbolike për këtë situatë në ligjin e barnave dhe shërbimit farmaceutik, në një kohë kur e theksojmë se ky realitet kërcënon në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve.

 

- Cili është institucioni që kontrollon respektimin e kritereve të hapjes dhe të ushtrimit të aktivitetit të farmacisë?

- Ndryshimi ligjor i vitit 2009, e hoqi procedurën e inspektimit që bëhej paraprakisht në ambientet ku pretendohej të hapej farmacia. Deri në atë kohë, këtë inspektim e realizonte QKKB-ja e atëhershme ose AKBPM-ja e sotme, nëpërmjet sektorit të inspektimit e më pas tërësia e kritereve të vendosura për hapjen e subjektit diskutohej në ministrinë e Shëndetësisë. Edhe për këtë mënyrë funksionimi, ne si UFSH, kemi shprehur mendimin tonë se procedura duhet rikthyer, pasi sot gjithçka realizohet duke vetëdeklaruar dhe jo duke inspektuar. Këto procedura vetëdeklarimi bëhen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, e cila për objekt ka licencimin e subjekteve tregtare dhe jo atyre shëndetësore, pra, për të hapur një farmaci paraprin aspekti tregtar e nuk trajtohet si njësi e mirëfilltë e kujdesit shëndetësor. Prandaj, mendoj se analizimi i kritereve të hapjes së farmacisë duhet të kalojë nëpërmjet një komisioni, ku inspektimi paraprak i ambienteve të jetë tashmë një detyrim. Procedura e kontrollit të ambienteve është ruajtur për hapjen e depove farmaceutike dhe çuditërisht, është quajtur e panevojshme për farmacitë.

 

- Në Kosovë po përparon ideja që të bëjnë ndryshime ligjore duke futur konceptin që pronari i farmacisë duhet të jetë edhe drejtuesi teknik i saj. Si mendoni, a duhet propozuar edhe në Shqipëri një gjë e tillë, pasi edhe në Evropë kemi mjaft realitete të ngjashme? Ju keni shkëmbime opinionesh, ose ndonjë bashkëpunim tjetër me Odën e Farmacistëve të Kosovës?

- Ne e kemi shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë mendimin tonë lidhur me marrëdhënien që duhet të ketë pronësia e farmacisë dhe pozicioni i drejtuesit teknik, gjë që është shprehur edhe në pyetjet e mësipërme që ju më keni drejtuar. Këtë mendim tonin e kemi bërë publik përtej mureve të institucionit tonë, qoftë në mënyrë shkresore, qoftë mediatike. I referohemi posaçërisht letrës së hapur që i kemi drejtuar në qershor të vitit 2020, Kryeministrit të vendit dhe ministres së Shëndetësisë, lidhur me problematikat e shërbimit farmaceutik të rrjetit të hapur, si dhe propozimet për rregullimin e tyre. Duke pasur parasysh karakteristikat që ka profesioni i farmacistit, si dhe hapësirën gjeografike që ka Shqipëria, ky propozim i yni ka përkuar edhe me realitetin e shumë vendeve të BE-së dhe kemi ndarë të njëjtin mendim edhe me Odën e Farmacistëve të Kosovës.
Me Odën e Farmacistëve të Kosovës, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe herë pas here, zhvillojmë takime me qëllim shkëmbimin e përvojave, si dhe diskutimin e problematikave. Një prej problematikave të diskutuara dhe të ndara bashkërisht me OFK-në është edhe gjetja e mënyrës për vlerësimin financiar të farmacistit e cila realizohet ose nëpërmjet vendosjes së një komisioni shërbimi, eksperiencë të cilën e kanë disa vende, ose studimi dhe gjetja vend e vlerësimit profesional, i përfshirë në marzhin e tregtimit të barnave. Aktualisht, për farmacistin shqiptar sot nuk ekziston, as forma e parë, as forma e dytë. Sot jemi para faktit se në farmaci vlerësohet vetëm veprimtaria tregtare dhe aspak ajo profesionale. Mendojmë se gjetja e formës dhe mënyrës për vlerësimin e shërbimit farmaceutik që ofron farmacisti krahas vendosjes së kritereve për hapjen e farmacive, është një garanci edhe më e madhe për rritjen e cilësisë së shërbimit në sektorin farmaceutik.

 

Alma Demiraj

 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC