dhj182017
Mepolizumab-i, i nevojshëm për trajtimin e pacientëve me eozinofili
Sipas rezultateve të dy studimeve paralele të publikuara në "Nevv England Journal of Medicine", mepolizumab-i mund të reduktojë rastet e shpërthimit të sëmundjes te pacientët me bronkopneumopati kronike obstruktive (BPKO) që vuajnë nga eozinofilia. «Duke përdorur mepolizumab-in si trajtim me synim reduktimin e sasisë së eozinofilisë në gjak, këto studime tregojnë rëndësinë e vetë eozinofileve në shpërthimin e BPKO-së», shpjegon Ian Pavord-i, nga Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar, autori kryesor i këtij studimi.
Mepolizumab-i, një antitrup monoklonal që ka si objektiv të tijin interleukinën-5, ka treguar tashmë se i ka reduktuar rastet e shpërthimeve dhe ka përmirësuar cilësinë e jetës në pacientët me astmë eozinofilike të rëndë. Meqenëse disa pacientë që i janë përgjigjur barit në studime të kaluara, kanë treguar në vazhdim edhe manifestime klinike të BPCO-së, kërkuesit kanë bërë dy studime klinike paralele policentrike, me përzgjedhje rastësore dhe të kontrolluara me placebo, për të vlerësuar efikasitetin e barit në rastet e BPKO-së.
Pjesëmarrësve të të dyja studimeve u janë bërë injeksione nën lëkurë çdo 4 javë, për 52 javë me radhë, me 8 javë vëzhgim. Studimi METREX përfshinte 836 pacientë, nga të cilët 462 vuanin nga eozinofilia. Në subjektet me eozinofili, norma mesatare vjetore e shpërthimeve të moderuara ose të rënda ka qenë 1,40 për vit në grupin e trajtuar me mepolizumab, krahasuar me 1,71 në grupin placebo. Nuk është vënë re asnjë ndryshim kuptimplotë në numrin e shpërthimeve ndërmjet barit dhe placebos, përfshirë këtu të gjithë pjesëmarrësit, me apo pa eozinofili. Në METREO (674 pacientë), norma mesatare vjetore e shpërthimeve të moderuara ose të rënda ka qenë 1,19 për pjesëmarrësit që kishin marrë 100 mg të barit dhe 1,27 për ata që kishin marrë 300 mg, krahasuar me 1,49 në grupin e kontrollit.
Gjithsej, mepolizumab-i e ka patur ndikimin më të madh në normën e shpërthimit te pacientët me përqindje më të lartë të eozinofileve, duke vënë në dukje kështu një ndihmesë të këtyre qelizave në patologji.
"Rezultatet tregojnë se një nëngrup pacientësh me BPCO mund të përfitojë nga terapitë biologjike, por mendoj se numri i eozinofileve në gjak është një shënjues i paplotë dhe që faktorët e tjerë patogjenë e ngatërrojnë sinjalin eozinofil edhe në nëngrupet e përzgjedhura me kujdes", konfirmon Christine McDonald-i, nga Universiteti i Melburnit në Australi, në editorialin shoqërues.
N Engl J Med 2017. Doi: 10.1056/NEJMoa1708208
http://www.nejm.org/doi/10.1056/NEJMoa1708208