dhj192017
Fibroza cistike, Europa aprovon barin për fëmijët 6-11 vjeç
Komiteti i Ilaçeve për Përdorim Njerëzor (CHMP) i Bashkimit Europian, ka bërë një deklaratë pozitive, duke rekomanduar dhënien e autorizimit për hyrjen në treg të barit lumacaftor/ivacaftor për fëmijët që vuajnë nga fibroza cistike (FC), të moshës 6-11 vjeç, me dy lloje të mutacionit F508del.
Këtë vendim e bën të ditur Vertex-i, në një shënim, ku nënvizon se në Europë jetojnë rreth 3400 pacientë fëmijë të kësaj fashe moshore, të përshtatshëm për përdorimin e këtij bari. Deklaratat pozitive të CHMP-së, vazhdon shënimi, janë rekomandime drejtuar Komisionit Europian, institucioni përgjegjës për aprovimin e barnave në Bashkimin Europian. Komisioni Europian, në përgjithësi, ndjek rekomandimet e CHMP-së dhe pritet që, si zakonisht, ai ta japë autorizimin për hyrjen në treg brenda tre muajsh.
Në disa vende, Vertex-i ka bërë marrëveshje në bazë të të cilave Orkambi (emri tregtar i barit) do të jetë i disponueshëm për pacientët menjëherë pas lëshimit të autorizimit, ndërkohë që në vazhdim do të ndiqet edhe një proces rimbursimi i veçantë për secilin vend.
"Fibroza cistike është një sëmundje sistematike kongjenitale dhe progresive, që prek shumë organe", ka deklaruar David Gillen-i, kreu i Çështjeve Mjekësore Ndërkombëtare në Vertex. «Falë këtij rekomandimi, më në fund po i afrohemi çastit kur do të jemi në gjendje të ndihmojmë një numër të madh njerëzish me fibrozë cistike, të cilët aktualisht nuk kanë në dispozicion asnjë bar për të trajtuar shkaktarin e sëmundjes së tyre"...