Farmaci

jan112018

Pacientët ankohen për mungesën e kanabisit: "Po na shtyni drejt krimit!"

"Perspektivat terapeutike të kanabisit janë pa dyshim interesante, por të dhënat që kemi deri më sot për to, nuk mjaftojnë. Kjo është arsyeja se pse për zhvillimin dhe vendosjen e rregullave në këtë treg të ri duhet të vendosë kërkimi shkencor e faktet klinike dhe jo kërkesa e pacientëve që ankohen për vështirësinë e gjetjes së barnave".

Kjo ka qenë përgjigjja e presidentit të Shoqatës Italiane të Barnave (SIF) Alessandro Mugelli dhe e presidentit të Shoqatës Italiane të Toksikologjisë (SITOX) Patrizia Hrelia, pas kërkesës publike të Koalicionit Italian për Liri dhe Të drejta Qytetare, që në emër të pacientëve që përdorin Cannabis Fm-2, ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë për të kompensuar mungesën e produktit "jo gjithmonë të gjetshëm", sipas letrës së Koalicionit. Nënshkruesit shkruajnë se dështimi në gjetjen e derivateve të kanabisit, u shkakton atyre "dëme serioze e të pariparueshme dhe shpesh, kriza dhe sëmundje të tjera".

"Në fakt, vazhdon letra, kjo mangësi i detyron pacientët të kryejnë krime, pasi ata janë të detyruar t'i kthejnë sytë nga tregu i zi ose të kultivojnë kanabis për të mos ndërprerë kurën e përshkruar dhe për të patur vazhdimësi në rrugën terapeutike". Në një shënim shtesë, dy shoqatat shkencore nënvizojnë se bëhet fjalë për një instrument të ri terapeutik dhe për këtë arsye, ai duhet trajtuar me kujdes. Mbi të gjitha sepse, pavarësisht entuziazmit përballë kësaj mundësie të re, për përdorimin mjekësor të kanabisit, studimet e derisotme janë të pamjaftueshme për të arritur në konkluzione vendimtare në lidhje me efikasitetin dhe me sigurinë e substancës. Kërkime të reja ndërkombëtare kanë treguar se mjekët që e përshkruajnë kanabisin, kanë njohuri të dobëta në lidhje me farmakologjinë dhe toksikologjinë e derivateve të kanabisit. Pikërisht për këtë arsye, shpjegojnë ata, shoqatat tona po punojnë për të realizuar kurse specifike formimi për mjekët dhe farmacistët, në lidhje me këtë argument.

Shoqatat shkencore kërkojnë vlerësimin më me kujdes të hapave të nevojshëm në zhvillimin e tregut, tërësisht të ri, të kanabisit terapeutik, që është ende një "fushë e minuar", në kuptimin e plotë të fjalës. "Perspektivat terapeutike të kanabisit janë pa dyshim interesante, konfirmojnë presidentët e SIF-it dhe të SITOX-it, ndonëse nuk jemi ende të qartë mbi provat reale dhe mbi të gjitha, ajo çka mungon është një e dhënë e qartë sigurie. Nuk njihen, veçanërisht, efektet në terma afatgjatë. Gjendemi në një fushë të minuar dhe për këtë nevojitet qartësi, formim dhe informacion i saktë si nga operatorët shëndetësorë, ashtu edhe nga qytetarët, të cilët në mënyrë të veçantë nuk duhet të krijojnë shpresa të gabuara sepse kanabisi paraqet në çdo rast një trajtim simptomatik dhe jo kurativ. Informacionet, jo gjithmonë korrekte dhe potencialisht të rrezikshme, vënë në rrezik jo vetëm shëndetin e pacientëve, por edhe shoqërinë".


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC