jan302018
Kafeina, faktor mbrojtës neurologjik në sëmundjen e parkinsonit
Një studim i ri i publikuar në "Neurology", ka dalë në përfundimin se kafeina mund të ketë një efekt mbrojtës neurologjik kundër sëmundjes së Parkinsonit dhe që nivelet e kafeinës në kampionët e gjakut mund të përdoren si bioshënjues të sëmundjes.
"Studime epidemiologjike në të shkuarën kanë sugjeruar se konsumimi i shpeshtë i kafesë mund të ketë efekt mbrojtës kundër sëmundjes së parkinsonit, por zbulimet e reja tregojnë edhe se keq përthithja e kafeinës mund të jetë një tjetër faktor rreziku për sëmundjen", i shpjegon shtypit Nobutaka Hattori (Departmenti i Neurologjisë, Universiteti i Mjekësisë, Tokio), bashkautor i studimit.
Kërkuesit kanë marrë në studim 108 pacientë me sëmundjen e parkinsonit të shkallës së lehtë në të moderuar, por pa demencë (54% burra, me moshë mesatare 67,1 vjeç) në një spital në Japoni, në periudhën dhjetor 2013-shkurt 2014, si edhe 31 njerëz të shëndetshëm (43% burra, mosha mesatare 63,3 vjeç) dhe kanë matur nivelet e kafeinës dhe të 11 metaboliteve të saj në kampionët e gjakut të pjesëmarrësve.
Megjithëse që të dyja grupet kishin pirë një mesatare prej rreth dy filxhanësh kafeje në ditë, të sëmurët me parkinson paraqisnin një nivel të përgjithshëm të kafeinës prej 24 pmol/10 microL, përkundër 79 pmol/10 microL që ishte niveli të personat e shëndetshëm. Gjithashtu, nëntë nga njëmbëdhjetë metabolitet e kafeinës, mes të cilave: teofillina, teobromina e paraxantina, ishin dukshëm më të ulëta në grupin e të sëmurëve. Rezultatet kanë treguar në fund se kafeina në kampionët e gjakut të përdorur si bioshënjues për sëmundjen e parkinsonit kishin një normë ndjeshmërie prej 77% dhe një normë specificiteti prej 74%.
"Pavarësisht rezultateve të disa studimeve të mëparshme, ndryshimet e metabolizmit të plotë të kafeinës te pacientët me sëmundjen e parkinsonit, për fat të keq, mbeten ende jo shumë të qarta", përfundojnë autorët. David Munozi (Universiteti i Torontos) dhe Shinsuke Fujioka (Universiteti Fukuoka, Japoni) shkruajnë në një editorial shoqërues se studimi mund të përbëjë një kthesë diagnostike dhe patogjenike, por fakti që thuajse të gjithë pacientët e studiuar kishin marrë mjekim për sëmundjen e tyre, mund të ketë ndikuar në rezultate.
"Studimet e ardhshme duhet të vlerësojnë metabolizmin e kafeinës te pacientët me sëmundjen e parkinsonit të patrajtuar ose tek ata me shenja pararendëse të sëmundjes", përfundojnë editorialistët.
Neurology 2017. doi: 10.1212/WNL.0000000000004888
http://n.neurology.org/content/early/2018/01/03/WNL.0000000000004888
Neurology 2017. doi: 10.1212/WNL.0000000000004898
http://n.neurology.org/content/early/2018/01/03/WNL.0000000000004898