Farmaci

shk132018

Kush e tepron me përdorimin e NSAID-ëve dhe çfarë duhet bërë?

Numri i njerëzve që përdorin barna antiinflamatore josteroide (NSAID) dhe që e tejkalojnë dozën e rekomanduar ditore, nuk është i papërfillshëm. Studiuesit kanë zbuluar se 15% e përdoruesve të ibuprofenit ose të NSAID-ëve të tjerë e tejkalojnë dozën maksimale të rekomanduar, që pas javës së parë të kurës.

"Tejkalimi i kufijve të dozimit ka të bëjë kryesisht me marrjen e sasive të tepërta të një NSAID-i të vetëm, të më shumë antiinflamatorëve në të njëjtën kohë, apo me faktin që  pacienti nuk pret kohën e mjaftueshme para se të marrë dozën e ardhshme", shkruajnë autorët e një studimi të koordinuar nga David Kaufman (Universiteti i Bostonit), duke vënë në dukje rëndësinë e të kuptuarit se sa njerëz tejkalojnë dozën maksimale, se si e bëjnë atë dhe cilat karakteristika lidhen me përdorimin e tepërt.

"Nëse arrijmë të marrim më shumë informacion në lidhje me këta faktorë, do të na ndihmojë të vendosim se çfarë ndërhyrjeje duhet të bëjmë në lidhje me konsumatorët, për të nxitur përdorimin e sigurt të NSAID-ëve, të njohur, ndër të tjera, për efektet e tyre të padëshirueshme gastrointestinale", thotë Kaufmani.

Në studim kanë marrë pjesë pak më shumë se 1,300 vetë, që kishin marrë ibuprofen gjatë muajit paraardhës. Pjesëmarrësit plotësuan një ditar të përditshëm, ku shënonin përdorimin e NSAID-ëve brenda një jave. "Në këtë mënyrë, kemi qenë në gjendje të llogarisim dozën ditore dhe ta krahasojmë atë me dozën maksimale të rekomanduar", thotë hulumtuesi.

Duke vepruar kështu, autorët zbuluan se ata që janë më në rrezik për të tejkaluar dozat e rekomanduara, ankohen për dhimbje kronike, janë në kushte të këqija fizike ose janë të bindur se janë në gjendje të vendosin vetë çfarë doze të marrin, duke injoruar rekomandimet në etiketë.

"Ndër ata që përdorin NSAID-ë, mbizotërimi i njerëzve që tejkalojnë dozën e përditshme, është një gjë e zakonshme dhe lidhet kryesisht me faktorë potencialisht të modifikueshëm", përfundojnë autorët.

 

Pharmacoepidemiol Drug Saf 2018. Doi: 10.1002/pds.4391
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29372579


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC