maj142018
Farmacitë me kontratë mbyllen për dy orë. Zgjidhen në favor të tyre disa pika të kontratës.
Farmacistët kanë mbyllur për dy orë dyert e farmacive duke mos iu shërbyer qytetarëve. Ata kishin ardhur nga disa qytete të vendit për të marshuar drejt kryeministrisë në shenjë proteste për kontratën që u detyruan të nënshkruanin në mënyrë të njëanshme dhe për të kundërshtuar disa pika që, sipas tyre, ishin diskriminuese, ndonëse nuk arritën të merrnin lejen e policisë për këtë.
Nga ana tjetër, pak para se të mblidheshin, drejtues të FSDKSH-së kanë zhvilluar një takim me kreun e UFSH-së, ku kanë rënë dakord në disa pika.
"Ka pasur dakordësi dhe lëshime aty ku ishte e nevojshme dhe ku nuk prekeshin ato që ne i quajmë parime të pacenueshme në interes të pacientëve që përfitojnë nga rimbursimi i barnave", u shpreh drejtori i FSDKSH-së, Eduard Ahmetaj.
Pak minuta më vonë, presidentja e UFSH-së ka njoftuar farmacistët mbi pikat e kontratës që do të ndryshojnë në kontratën e re.
"U dakordësua heqja e penaliteteve që lidhen me diferencat në minus, përcaktimin "ditë pune" dhe jo "ditë kalendarike" në të gjitha njoftimet që parashikohen, heqja e "zgjidhje kontrate" jo më pak se 6 muaj, në rastet e mosdorëzimit në kohë të dokumentacionit.
Do specifikohet me një udhëzim të brendshëm se cilat do të konsiderohen shkaqe të justifikuara dhe të pajustifikuara për zgjidhjen e njëanshme të kontratës. Një grup pune do të vlerësojë dëmin e shkaktuar për shkak të listës dhe do të shikohet mundësia për rimbursim", siguroi presidentja e UFSH-së.
Pasi u kërkua mendimi i farmacistëve të pranishëm në këtë takim, që u konsiderua i pari në këto përmasa, u kërkua që deri ditën e martë, kontrata e re me pasqyrimin e këtyre pikave, të marrë miratimin e KA-së.
Në rast të kundërt, farmacistët i kthehen sërish protestës.
Alma Demiraj