qer142018
Hidroklorotiazidi shton rrezikun për melanomë
Pacientët e klasifikuar si përdorues të sasive të mëdha të hidroklorotiazidit kanë treguar se janë të ekspozuar ndaj një rreziku më të lartë për të zhvilluar melanomë. "Kohët e fundit kemi zbuluar se përdorimi i hidroklorotiazidit shton rrezikun për kancer të lëkurës së buzëve (jo melanomë), veçanërisht të karcinomës me qeliza skuamoze. Nëse efekti kancerogjen i hidroklorotiazidit do të përhapej edhe në melanomën malinje, kjo do të kishte patjetër ndikime të konsiderueshme", thotë Anton Potegardi (Universiteti i Danimarkës Jugore), që ka udhëhequr grupin e punës.
Hulumtuesit kanë identifikuar 19,273 raste të verifikuara të melanomës dhe e kanë kombinuar secilin me 10 kontrolle pa kancer (192,730 vetë) për të përcaktuar nëse hidroklorotiazidi rrit rrezikun e kësaj sëmundjeje. Përdorimi i lartë i hidroklorotiazidit, i përkufizuar si 50.000 mg ose më shumë, ishte mbizotërues në 2.1% të rasteve dhe në 1.8% të kontrolleve dhe ishte i shoqëruar me një shtim të rrezikut për melanomë. Nuk është gjetur një model i reagimit dozë-përgjigje mes përdorimit të hidroklorotiazidit dhe rrezikut të melanomës, por rezultatet u konfirmuan edhe pas marrjes parasysh të vendndodhjes, fazës, moshës, gjinisë dhe historisë së kancerit të lëkurës (jo melanomë). Mundësitë e melanomës ishin më të larta për melanomën nodulare dhe melanomën lentigo, krahasuar me melanomën me shpërndarje sipërfaqësore.
Një nga rezultatet e tjera të analizave ishte se, përdorimi afatgjatë i bendroflumetiazidit, frenuesve të enzimës së konvertimit të angiotensinës, antagonistëve të receptorit të angiotensinës II dhe antagonistëve të kalciumit, nuk ka treguar lidhje me rrezikun e melanomës. Sipas autorëve, çfarë ka dalë sa i përket nëntipit të melanomës është më surprizuese, për shkak se është bërë e njohur se melanoma lentigo dhe melanoma me shpërndarje sipërfaqësore janë të lidhura me një ekspozim të shtuar në diell, ndërkohë që etiologjia e melanomave nodulare është më e paqartë.
"Është shqetësues fakti që përdorimi i hidroklorotiazidit duket se është i lidhur me një rrezik të shtuar për melanomë dhe lidhjet e veçanta të vëzhguara për melanomën lentigo dhe melanomën nodulare, kërkojnë kërkime të mëtejshme", përfundojnë kërkuesit.
JAMA Intern Med. 2018. doi: 10.1001/jamainternmed.2018.1652
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29813157