shk72023
Lidhja e fortë që ekziston mes rasteve të melanomës dhe plotësimit me vitaminë D
Një studim i kryer në Finlandë ka nxjerrë në pah rëndësinë e monitorimit të niveleve të vitaminës D në gjak dhe integrimin kur është e nevojshme
Njerëzit që marrin rregullisht suplemente të vitaminës D janë më pak të rrezikuar për të zhvilluar melanomë, në krahasim me ata që nuk e marrin këtë suplement. Në këtë përfundim ka arritur një hulumtim i koordinuar nga Ilkka Harvima nga Universiteti i Finlandës Lindore, dhe i publikuar në "Melanoma Research".
Roli i vitaminës D dhe metabolitëve të saj
Vitamina D luan një rol të rëndësishëm në funksionimin normal të organizmit, si dhe është thelbësore për shumë sëmundje. Sipas autorëve të studimit, lidhja midis vitaminës D dhe kancerit të lëkurës është studiuar gjerësisht në të kaluarën, por studime e kryera janë fokusuar kryesisht në nivelet serike të kalcidiolit, një metabolit i vitaminës D, dhe lidhjen e tij me kancerin e lëkurës.
Lëkura e njeriut mund të shprehë enzima që mund të aktivizojnë ose çaktivizojnë biologjikisht metabolitët e vitaminës D. Megjithatë, nivelet e kalcidiolit në serum nuk mund të japin informacione se si do të metabolizohet vitamina D.
Për këtë arsye, sipas Harvimas dhe kolegëve, mbledhja e të dhënave për nivelet e kalcidiolit në serum nuk mund të japë indikacione të plota dhe të sakta nëse një person është në rrezik të shtuar për të zhvilluar kancer të lëkurës.
Për këtë studim, ekipi vlerësoi nivelet e kalcidiolit në serum të pjesëmarrësve dhe mblodhi të dhëna për rastet e melanomës dhe sasinë e vitaminës D të marra prej tyre nëpërmjet suplementeve.
Dëshmitë nga popullsia finlandeze
Në studim morën pjesë 490 pacientë në rrezik të lartë për të zhvilluar kancer të lëkurës si karcinoma e qelizave bazale, karcinoma e qelizave skuamoze ose melanoma. Studiuesit para së gjithash vëzhguan nivelin e rrezikut të pacientit, duke e klasifikuar atë si të ulët, të moderuar ose të lartë.
Më pas, pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe në bazë të marrjes së suplementit të vitaminës D, përkatësisht përdorues, jopërdorues dhe përdorues të rastësishëm. Nivelet e kalcidiolit në serum u matën në 50% të të gjithë pjesëmarrësve dhe studiuesit vunë re se ata që merrnin rregullisht vitaminë D kishin më pak mundësi për të zhvilluar melanomë, krahasuar me ata që nuk merrnin.
Për më tepër, klasifikimi i rrezikut për kancer të lëkurës ishte dukshëm më i mirë për ata që përdornin rregullisht suplementin.
Nuk kishte asnjë lidhje statistikisht domethënëse midis marrjes së vitaminës D dhe ashpërsisë së sëmundjes, dhe nivelet e kalcidiolit në serum nuk ishin të lidhura ndjeshëm me përkeqësimin e ndryshimeve të lëkurës.
Sabina Mastrangelo
Burimi:
Melanoma Research, 2022; Publish Ahead of Print DOI: 10.1097/CMR.0000000000000870