sht142018
Zhvlerësimi i lirës turke ndaj euros. Pasojat, edhe në Shqipëri
Lira turke është zhvlerësuar thuajse me 27% ndaj monedhës ndërkombëtare euro dhe kjo pritet të ketë ndikim edhe në tregun farmaceutik shqiptar.
Tregu shqiptar farmaceutik furnizohet në masën 90% me medikamente që importohen nga vende të tjera dhe 10%, nga prodhimi vendas.
Turqia është vendi nga ku importohen më shumë medikamente që pas ndryshimit të ligjit të barnave ku u lejua importi paralel.
Ajo çfarë po ndodh me monedhën turke kundrejt monedhës europiane pritet të japë efekte negative në kostot e kompanive farmaceutike turke të cilat lëndën e parë të prodhimit të barnave duhet ta blejnë në euro. Rritja e kostove mund të sjellë, në rastin më të mirë, rritje të çmimit të barnave që ato prodhojnë dhe që blihen nga kompanitë shqiptare. Kjo mund të ndikojë me mungesë të këtyre barnave në tregun farmaceutik shqiptar, pasi nëse u rritet çmimi, kompanitë shqiptare mund të mos kenë interes t'i importojnë.
Çmimi i barnave në tregun shqiptar është i kontrolluar dhe bazohet mbi çmimet CIF të importit, të deklaruara nga kompanitë mbajtëse të autorizimit të tregtimit dhe mbi bazën e çmimeve të prodhimit për barnat e prodhuara në vend, të deklaruara nga prodhuesi vendas. Kontrolli i çmimit të barnave në treg, si dhe diferencimi në çmim i barnave gjenerike dhe atyre origjinatore, realizohen përmes marzheve të fabrikimit e të tregtimit, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Dhe kjo, bëhet vetëm një herë në vit. Ndaj tregu farmaceutik shqiptar mund të përballet me mungesa të theksuara barnash nëse kompanitë prodhuese të barnave turke vendosin të rrisin çmimit për shkak të krizës që po kalon lira turke, por kjo mbetet për t'u parë në vazhdimësi.
Alma Demiraj