sht202018
Farmacitë në kontroll për medikamentet pa recetë dhe kontrabandën
Agjencia e Barnave ka ngritur një Task-Forcë për të kontrolluar të gjitha farmacitë lidhur me barnat që tregtohen pa recetë dhe ato që futen kontrabandë. Ky grup kontrolli në të cilin për herë të parë përfshihet edhe Urdhri i Farmacistëve, do të kontrollojë ndër të tjera kushtet në të cilat tregtohen barnat, ku ruhen ato, pullën e sigurisë e të tjera kritere që duhet të plotësojë një farmaci.
Grupi i punës, i cili ka në përbërje specialistë të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në çdo subjekt farmaceutik që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, me synim garantimin e sigurisë së tregtimit të barnave për qytetarët.
Në ditët e para të funksionimit të kësaj Task-Force ndërinstitucionale, janë kontrolluar 21 subjekte farmaceutike dhe janë konstatuar shkelje në 12 subjekte, të cilat janë ndëshkuar me masë administrative 1.500.000 lekë për mosrespektim të kushteve të ruajtjes së barnave, për tregtim të barnave pa pullën e sigurisë dhe tregtim të tyre pa recetën e mjekut.
Kjo Task-Forcë do të funksionojë deri në fund të muajit nëntor.
Alma Demiraj