tet102018
Zoledronate, efikas në reduktimin e rrezikut për frakturë te gratë me osteopeni
Gratë e moshës 65 vjeçe e lart, me osteopeni, kanë treguar një rrezik më të ulët frakturash për shkak të brishtësisë kur trajtohen me zoledronate, krahasuar me placebon, sipas rezultateve të një studimi të paraqitur në takimin vjetor të Shoqërisë Amerikane për Kockat dhe Kërkimet Minerale, botuar në "New England Journal of Medicine".
"Nevoja për të vendosur efikasitetin e trajtimit te pacientët me osteopeni është bërë më e ngutshme, duke pasur parasysh tendencën klinike për të reduktuar vendimet për ndërhyrje në rrezikun absolut të frakturave. Zoledronate ka karakteristika që e bëjnë atë interesant për përdorim te gratë me këtë problem, pasi merret me një injeksion intravenoz në intervale prej një viti ose më shumë, është më i preferuar se bisfosfonatet orale nga pjesa më e madhe e pacientëve dhe ka një profil sigurie të kënaqshëm", thotë Ian Reid (Universiteti i Aucklandit në Zelandën e Re), i cili udhëhoqi grupin e punës.
Hulumtuesit regjistruan 2.000 gra 65 vjeçe ose më shumë, që kishin një rezultat T në intervalin nga -1 në -2.5 në femur. Pjesëmarrësit u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë një injeksion 5 mg zoledronate çdo 18 muaj për gjashtë vjet ose injeksione që përmbajnë solucion salin në të njëjtin interval. Endpointi kryesor ishte koha e kaluar deri në thyerjen e parë prej brishtësisë, me një konfirmim përmes të dhënave mjekësore të frakturave të vetëraportuara nga pjesëmarrëset dhe nga eventet që kanë patur nevojë për hospitalizim.
U vunë re: 227 fraktura të brishtësisë te 190 gra në grupin placebo dhe 131 fraktura te 122 gra, në grupin zoledronate. Në grupin e placebos kanë ndodhur 276 thyerje simptomatike te 214 gra, në krahasim me 185 te 163 gra në grupin zoledronate, në të cilat janë verifikuar edhe më pak fraktura vertebrale (25 fraktura te 23 gra) në krahasim me grupin placebo (64 fraktura te 49 gra).
Janë vënë re më pak fraktura jo vertebrale në grupin zoledronate (108 fraktura te 101 gra) krahasuar me grupin placebo (178 fraktura në 148 gra); dallimi në frakturat e legenit midis grupeve, nuk ishte statistikisht i rëndësishëm. Siç përfundojnë autorët, rezultatet tregojnë se grupi zoledronate tregon një rrezik më të ulët për frakturë nga brishtësia sesa grupi placebo.
NEJM 2018. Doi: 10.1056/NEJMoa1808082
https://www.nejm.org/doi/10.1056/NEJMoa1808082