tet122018
Barnat stok në QSUT. Dëmi financiar, sa një e katërta e buxhetit për të blerë barna
Dëmi financiar i shkaktuar nga barnat e skaduara në QSUT, në vlerën e 480 milionë lekëve, është thuajse 1 e katërta e buxhetit që ka në dispozicion qendra më e madhe spitalore në vend për të blerë barna për një vit. Krahasuar kjo, të paktën, me buxhetin e planifikuar për të blerë barna për vitin 2018.
Burime të Farmacist33.al, bëjnë me dije se fondi në dispozicion për të blerë barna për këtë vit përllogaritet të jetë 1.855.810.356.
Stoku i krijuar me barna që kanë skaduar, lidhet me keqmenaxhimin që i është bërë buxhetit në dhjetë vite nga drejtuesit e saj. Dhe kjo, jo më shumë për paaftësi në menaxhim sesa për korrupsion. Qendra Spitalore Universitare ndër vite është parë si një minierë ku lulëzon korrupsioni. Marrëdhënia kontraktuale me kompanitë farmaceutike që kanë furnizuar me barna farmacinë e QSUT-së është parë më tepër si marrëdhënie fitimprurëse për llogari personale. Kontrata që nënshkruan drejtuesi i QSUT-së me kompanitë farmaceutike duhet të përcaktojë se barnat nuk duhet ta kenë datën e skadencës më pak se dy vjet, por kjo nuk është respektuar. Një pjesë e barnave stok janë donacione të bëra nga kompanitë farmaceutike, të cilat kishin në magazinat e tyre barna që po iu afrohej data e skadencës.
Nga njëra anë, kjo ka plotësuar deri diku mungesën e atyre barnave për një kohë të shkurtër, për sa kohë në spital mungonin që nga antibiotikët e deri te kimioterapitë, referuar periudhës së raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit 2012-2013.
Alma Demiraj