nën132018
Hipotiroidizmi subklinik: terapia hormonale rutinë, nuk e përmirëson cilësinë e jetës
Terapia e hormoneve tiroide te të rriturit jo shtatzënë, me hipotiroidizëm subklinik, nuk shoqërohet me përmirësime në cilësinë e përgjithshme të jetës ose të simptomave të lidhura me tiroidet. Ky është rezultat i një studimi të ri të botuar në "JAMA", që nuk mbështet përdorimin rutinor të terapisë hormonale në këtë popullsi.
Hipotireoza subklinike shpesh trajtohet me hormone tiroide, të tilla si levotiroksina, sidomos kur paraqitet me simptoma që mund t'i atribuohen hipotiroidizmit, si lodhje, kapsllëk dhe shtim të pashpjeguar në peshë. Ka prova relativisht të kufizuara nga studimet klinike me përzgjedhje rastësore për të sugjeruar terapi të kësaj patologjie dhe udhëzimet e praktikës klinike janë shumë të ndryshueshme në treguesit e trajtimit.
"Dobia e terapisë hormonale tiroide për hipotiroidizmin subklinik është e pasigurt. Prova të reja nga studime klinike me përzgjedhje rastësore të përmasave të mëdha, kanë justifikuar interesin tonë për një përditësim të metanalizave të mëparshme mbi këtë argument", thotë Martin Feller (Universiteti i Bernit në Zvicër), autori kryesor i studimit.
Hulumtuesit kanë marrë parasysh studimet klinike me përzgjedhje rastësore që kanë krahasuar terapinë hormonale me placebon ose me mungesën e terapisë te të rriturit jo shtatzënë, me hipotiroidizëm subklinik, për të vlerësuar cilësinë e përgjithshme të jetës dhe simptomat e lidhura me tiroiden, pas një ndjekjeje minimale prej 3 muajsh.
Në përgjithësi, 21 nga 3.088 publikimet e identifikuara fillimisht, përmbushën kriteret e përfshirjes, për një total prej 2,192 të rriturish të përzgjedhur në mënyrë rastësore. Analiza tregoi se pas trajtimit (interval prej 3-18 muajsh), terapia hormonale e tiroides është shoqëruar me një rënie të vlerës mesatare të tireotropinës në intervalin normal të referimit në krahasim me placebon (vargu 0,5-3,7 mIU/L, krahasuar me 4.6-14.7 mIU/L), por jo për një përfitim në aspektin e cilësisë së përgjithshme të jetës ose simptomave që lidhen me tiroiden. Në përgjithësi, sipas autorëve të studimeve të përfshira në analizë, rreziku i njëanshmërisë ishte i ulët dhe cilësia e testeve të vlerësuara me instrumentin GRADE, nga i nivelit të moderuar në të lartë.
JAMA 2018. doi: 10.1001/jama.2018.13770
http://jamanetwork.com/journals/jama/fullarticle/10.1001/jama.2018.13770