nën142018
Barnat kundër ulcerës dhe antitrombotikët. Të panevojshëm te pacientët terminalë
Pacientëve në fund të jetës, qëllimi terapeutik te të cilët duhet të jetë kontrolli paliativ i simptomave, vazhdojnë t'u përshkruhen barna (një ose më shumë) me efekte parandaluese kundër ulcerës dhe antitrombotikë. Këtë e ka nxjerrë në pah një studim që është fryt i bashkëpunimit mes Fondacionit Vidas dhe Institutit të Kërkimeve Farmakologjike Mario Negri IRCCS, publikuar nga "American Journal of Hospice & Palliative Medicine". Studimi ka analizuar dhe përshkruar terapitë farmakologjike në lidhje me efektin parandalues ose simptomatik te pacientët në fund të jetës.
Hulumtimi, është shpjeguar në deklaratë, "tregoi një përdorim të gjerë të barnave të cilat synojnë kontrollin e simptomave. Megjithatë, rreth gjysma e pacientëve, në kohën e vdekjes, vazhdonte të merrte përshkrim të paktën të një bari me efekte parandaluese dhe, pra, të panevojshëm. Në veçanti, barnat kundër ulcerës dhe antitrombotikët kanë rezultuar trajtimet parandaluese më të përshkruara gjatë gjithë qëndrimit të tyre në azil".
"Barnat me efekt parandalues, thonë Luca Pasina (farmakolog i Institutit Mario Negri) dhe Angela Recchia (kërkuese në Vidas), nuk kanë asnjë vlerë terapeutike nëse koha e nevojshme për të vëzhguar përfitimin është më e lartë se jetëgjatësia e pritshme dhe për këtë arsye, duhet të ndërpriten.
Megjithatë, ky qëndrim nuk është pjesë e praktikës normale klinike. Si pasojë, subjektet në fund të jetës janë shpesh të ekspozuar ndaj trajtimeve të kota dhe ndërveprimeve midis barnave potencialisht serioze, por të shmangshme. Në fakt, në studim u vu re një zvogëlim i përdorimit të barnave parandaluese, megjithatë, mbetet mjaft hapësirë për përmirësim. Kriteret e përbashkëta midis kërkuesve dhe mjekëve paliativë, që kanë për qëllim dhënien e sugjerimeve për barnat e panevojshme në fund të jetës, rekomandohen fuqimisht për të shmangur efektet e padëshiruara te këta pacientë, për të përmirësuar cilësinë e recetave dhe për të zvogëluar shpenzimet".
"Ky studim i parë ndërkombëtar, përfundon Barbara Rizzi (drejtore shkencore e Vidasit), i realizuar në një mostër përfaqësuese të popullatës së moshuar që hyn në shërbimet e kujdesit paliativ të territorit kombëtar, ka treguar qëndrimin e mirë të mjekëve të Vidasit në menaxhimin e barnave gjatë fazave të fundit të sëmundjes, me më shumë përshkrime të barnave simptomatike sesa të atyre parandaluese. Këto rezultate më inkurajojnë të vazhdoj hulumtimin duke e zgjeruar atë edhe në ambientet shtëpiake dhe duke përmirësuar procesin e çpërshkrimit nga ana e mjekëve tanë. Kjo e fundit, në të vërtetë, është një temë e re që përfshin përfitimin nga ana e mjekëve të aftësive të reja klinike dhe etike".