Farmaci

shk12019

Tumori i kokës dhe i qafës. Nëse është i pranishëm një mutacion, FANS-at shtojnë mbijetesën

tags: Kanceri, FANS

Përdorimi i rregullt i ASA-ve apo i barnave të tjera antinflamatore jo steroide (FANS) mund të shtojë mbijetesën te disa pacientë me kancer të kokës dhe të qafës, sipas një studimi të publikuar në "Journal of Experimental Medicine".

"FANS-at janë efikasë te pacientët me mutacione të gjenit PIK3CA dhe kjo ndodh ndoshta për shkak se këto barna ulin nivelet e prostaglandinës E", shpjegon Jennifer Grandis (Universiteti i Kalifornisë, San Francisko), e cila ka udhëhequr grupin e punës. Rreth 35% e karcinomave me qeliza skuamoze të kokës dhe qafës (HNSCC) kanë mutacione që aktivizojnë gjenin PIK3CA, i cili kodon për nënnjësi katalitike të një enzime të sinjalizimit kyç, të quajtur PI3Ka. Hulumtuesit e udhëhequr nga Grandisi, janë përpjekur të vlerësojnë nëse përdorimi i rregullt i FANS-ave përmirëson në mënyrë specifike mbijetesën e pacientëve me HNSCC dhe ndryshimet në gjenin PIK3CA. Për këtë, ata analizuan një grup prej 266 pacientësh me HNSCC, të cilëve u ishin hequr tumoret në mënyrë kirurgjikale dhe i kanë trajtuar ata me FANS-a, dy ose tre doza në javë për të paktën gjashtë muaj. Pacientët pa ndonjë ndryshim të gjenit PIK3CA nuk treguan përmirësime me marrjen e FANS-ave në baza të rregullta.

Përkundrazi, përdorimi i rregullt i FANS-ave ka përmirësuar dukshëm mbijetesën e pacientëve, te të cilët gjeni PIK3CA ishte ndryshuar ose përforcuar. Te këta pacientë, në fakt, FANS-at kanë rritur shkallën e mbijetesës së përgjithshme në pesë vjet, nga 45% në 78%. FANS-at kanë treguar gjithashtu aftësinë për të reduktuar rritjen e tumoreve te minjtë, të cilëve u janë injektuar qeliza tumorale që strehojnë një gjen të ndryshuar PIK3CA. Duke i analizuar këto kafshë, studiuesit kuptuan se ndoshta frenimi i rritjes së tumorit ndodh për shkak të reduktimit të prodhimit të prostaglandinës E, e përfshirë në një shumëllojshmëri tumoresh dhe nxitur pikërisht me anë të sinjalizimit PI3Ka.

"Studimi ynë është i pari që tregon se përdorimi i rregullt i FANS-ave ka përfitim të rëndësishëm klinik te pacientët me HNSCC dhe ndryshim të PIK3CA. Por, ne duhet të sqarojmë se nuk jemi ende në gjendje të bëjmë ndonjë rekomandim specifik për llojin, kohën ose dozimin e FANS-ave. Rezultatet tona duhet të konfirmohen nga një eksperimentim klinik perspektiv", përfundon Grandisi.

 

J Exp Med. 2019. doi: 10.1084/jem.20181936
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30683736


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC