pri82019
Tramadoli është lidhur me vdekshmëri më të lartë te pacientët me osteoartrit
Një studim i publikuar në "JAMA" thotë se përdorimi i tramadolit nga pacientët me osteoartrit është lidhur me shtim të riskut të vdekshmërisë. Në të njëjtën kohë, duhet vënë në dukje se ky bar, një analgjezik opioid i dobët, rekomandohet për dhimbjen e osteoartritit nga disa udhëzime (siç janë ato të Akademisë Amerikane të Kirurgëve Ortopedikë dhe e Kolegjit Amerikan të Reumatologjisë), së bashku me barnat antiinflamatore jo steroide (FANS).
Përmes përdorimit të kartelave elektronike të disponueshme në bazën e të dhënave "Health Improvement Network" në Mbretërinë e Bashkuar, kërkuesit kanë krahasuar pacientët me artrozë të gjurit apo të dorës, që kishin nisur të merrnin tramadol, me ata që kishin nisur një terapi me naproksen, diklofenak, celecoxib, etoricoxib (i pa aprovuar në SHBA) ose kodeinë.
Në studim janë përfshirë 90.000 pacientë, 50 vjeç e sipër. Studimi ka treguar se pacientët që përdornin tramadol, kishin një normë më të lartë vdekshmërie në vitin që pasonte nisjen e përdorimit të barit, krahasuar me ata që përdornin barnat FANS që përshkruhen rëndom.
Për shembull, duke krahasuar tramadolin me naproksenin janë verifikuar 278 vdekje me një normë vdekshmërie për të gjitha shkaqet 23,5 për 1000 vite/njerëz, përkundër 164 vdekjeve dhe normë vdekshmërie 13,8 për 1000 vite/njerëz, respektivisht. Përjashtimi i vetëm ka rezultuar i lidhur me kodeinën: nuk ka dalë asnjë dallim statistikisht domethënës mbi normën e vdekshmërisë mes pacientëve që përdornin kodeinë ose tramadol. Autorët bien dakord me faktin se janë të nevojshme kërkime të reja për të përcaktuar nëse lidhja që ka dalë mes përdorimit të tramadolit për osteoartritin, me shtimin e vdekshmërisë në vitin pasardhës, mund të jetë shkakore.
Chao Zeng (Universiteti Jugqendror i Hunanit në Kinë) dhe kolegët e tij vënë në dukje faktin se rezultatet ka gjasa të ngatërrohen sa i përket indikacionit, duke qenë se pacientët që përdornin tramadol, kishin më shumë sëmundje bashkëshoqëruese, krahasuar me ata që përdornin FANS.
JAMA 2019. doi: 10.1001/jama.2019.1347
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30860559