nën42019
Barnat antihipertensive duhen marrë para gjumit. Ja, se pse...
Ata që marrin antihipertensivë përpara se të flenë, kanë një rrezik më të ulët për vdekje ose sëmundje të shkaktuara nga problemet e zemrës ose enëve të gjakut, krahasuar me ata që i marrin barnat në mëngjes. Këtë sugjeron një studim i botuar në "European Heart Journal" (studimi: Hygia Chronotherapy) në të cilin më shumë se 19,000 pacientë hipertensivë (mosha mesatare 60.5 vjeç) u përzgjodhën në mënyrë rastësore për ta marrë trajtimin në kohën e gjumit ose pas zgjimit. Gjatë një periudhe mesatare prej 6.3 vjetësh, 1,752 pjesëmarrës patën një ngjarje kardiovaskulare, përfshirë vdekjen.
Në një analizë të rregulluar duke i krahasuar me ata që i morën barnat pas zgjimit, ata që i pinin para se të flinin kishin një ulje prej 45% të rrezikut për rezultate kardiovaskulare. Për më tepër, këta pacientë kishin gjithashtu një rrezik më të ulët edhe për ngjarje të veçuara kardiovaskulare. Rreziku i vdekjes është ulur me 66%, ndërsa ai i infarktit të miokardit, iktusit, rivaskularizimit koronar dhe pamjaftueshmërisë kardiake u zvogëlua përkatësisht me 44%, 49%, 40% dhe 42%.
Të dhënat e matjes ambulatore të tensionit arterial 48-orësh, tregojnë një presion arterial mesatar dukshëm më të ulët gjatë ditës e natës dhe një rënie më e madhe gjatë natës te pacientët që i morën barnat para se të shkonin në shtrat. Për më tepër, një ulje progresive e presionit sistolik të natës, ka rezultuar parashikuesi më domethënës i reduktimit të rrezikut kardiovaskular. Studimi është pjesë e Projektit Hygia i cili përfshin 40 qendra të kujdesit parësor në Veri të Spanjës dhe është udhëhequr nga Ramón Hermida (Universiteti i Vigos).
"Marrja e barnave në mëngjes ka qenë rekomandimi më i zakonshëm nga ana e mjekëve, bazuar në qëllimin e gabuar të reduktimit të niveleve të presionit arterial të mëngjesit", thotë Hermida, i cili shpjegon se si rezultatet e këtij studimi dhe ato të raportuara më parë në projekt, tregojnë se nivelet mesatare të presionit arterial gjatë gjumit dhe ulja e tensionit të natës janë shënjues më domethënës të presionit arterial për rrezikun kardiovaskular.
"Monitorimi ambulator 24-orësh i presionit arterial duhet të jetë mënyra e rekomanduar për të diagnostikuar hipertensionin e vërtetë arterial dhe për të vlerësuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare", thotë ai dhe shpjegon se ulja e presionit sistolik mesatar gjatë gjumit, së bashku me shtimin e rënies relative të presionit arterial drejt modeleve më normale, janë dukshëm mbrojtës dhe përbëjnë një objektiv të ri terapeutik për të ulur rrezikun kardiovaskular.
Eur Heart J. 2019 Oct 22. pii: ehz754. doi: 10.1093/eurheartj/ehz754.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31641769