Farmaci

jan82020

Aspirina për migrenën: provat konfirmojnë përfitimet. Ja, dozimet

Përdorimi i aspirinës me doza të larta për trajtimin e migrenës akute dhe të aspirinës me doza të ulëta për parandalimin e sulmeve rekurrente, mbështetet nga provat, sipas një rishikimi të literaturës, të publikuar në "American Journal of Medicine".
"Sulmet e migrenës janë ndër patologjitë më të zakonshme dhe më potencialisht paaftësuese me të cilat u duhet të përballen mjekët bazë", konfirmon Bianca Biglione (Kolegji i Mjekësisë Charles E. Schmidt në Universitetin e Floridës Atlantike), autore kryesore e studimit.
"Për trajtimin e migrenës akute dhe për parandalimin e sulmeve të përsëritura ekzistojnë barna me përfitim të provuar, por këto mund të jenë të papërdorshme nga pacientët pa siguracion shëndetësor, mund të mos jenë të tolerueshme apo të jenë edhe të kundërindikuara", shton.

Studiuesit kanë shqyrtuar provat ekzistuese mbi përdorimin e aspirinës në trajtimin e migrenës akute dhe parandalimin e sulmeve të përsëritura, duke konkluduar se aspirina me doza të larta (900 deri 1.300 mg) e marrë në fillimin e simptomave, është efektive dhe e sigurt për të menaxhuar migrenën akute. Për më tepër, administrimi ditor i aspirinës me dozë të ulët (81 deri 325 mg) mund të jetë efektiv dhe i sigurt për të parandaluar dhimbjen rekurrente të kokës.
"Rreth një në 10 pacientë, në mjediset e kujdesit parësor, ka dhimbje koke dhe në tre nga katër raste, bëhet fjalë për migrenë. Aspirina është një medikament i gatshëm pa recetë, është i lirë dhe, bazuar në rishikimin tonë, është vërtetuar se ajo është efektive në shumë pacientë me migrenë, në krahasim me terapi të tjera alternative të shtrenjta", përfundojnë autorët.

Në një editorial shoqërues, Joseph Alpert (Universiteti i Arizonës në Tukson) sugjeron që mjekët të tentojnë gjithmonë këtë regjim të aspirinës me dozë të lartë si terapi fillestare për kontrollin e migrenës. Nëse aspirina funksionon duke eliminuar ose përmirësuar dhimbjen e kokës, ata duhet të fillojnë terapinë profilaktike me të njëjtin medikament, si një përpjekje për ta parandaluar atë. "Kjo do të çonte në më pak paaftësim dhe humbje të ditëve të punës, probleme të zakonshme në Shtetet e Bashkuara dhe në pjesën tjetër të botës", përfundon editorialisti.

 

Am J Medicine 2019. Doi: 10.1016/j.amjmed.2019.10.023
https://doi.org/10.1016/j.amjmed.2019.10.023

Am J Medicine 2019. Doi: 10.1016/j.amjmed.2019.11.002
https://doi.org/10.1016/j.amjmed.2019.11.002


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC